Organizoi cermoni martese në lokal, 1 milion lekë gjobë pronarit


Policia Vendore e Durrësit, njoftoi se pronari i një lokali në Krujë, është gjobitur me 1 milion lekë gjobë, pasi organizoi ceremoninë e një dasme. Policia deklaroi gjithashtu se aktiviteti i tij është mbyllur për një periudhë 6 mujore, pasi akuzohet se e kish përsëritur, shkeljen e aktit normativ, kundër ceremonive të martesave në këtë periudhë epidemie.

Njoftimi i policisë:

Nikël/Krujë

Policia e Qarkut Durrës ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, administratorin e një lokali, pasi u konstatua se organizonte ceremoni martesore në mënyrë të përsëritur, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Gjithashtu janë vënë në pranga edhe 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në fshatin Verjon, Nikël, Fushë – Krujë, një lokal që organizonte ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, në mënyrë të përsëritur.

Për këtë subjekt me administrator shtetasin D. Ç., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

 


Like it? Share with your friends!