Panik në Kamzë. Një përplasje kokë me kokë mes arbitrit dhe lojtarit, krijoi frikë në Drini-AF Luftëtari. Në limitet e pjesës së parë të ndeshjes së Kategorinë e Tretë, loja u ndërpre. Pas një krosimi në zonë, futbollisti Redjon Biba (i Drinit) bën “xing” me kryesorin Florian Hysa.


Që të dy kanë qenë me kurriz dhe ranë direkt në fushë pa vetëdije. Loja ndërpritet menjëherë dhe të tre mjekët afrohen për të dhënë ndihmën e parë. Gjyqtari çohet pas pak sekondash dhe kërkon që të merren me futbollistin. Bibës i iku gjuha dhe ra në gjendje të fikëti. E megjithatë, ndërhyrja e shpejtë e mjekut Riza Gapi e ktheu në normalitet. Disa minuta më vonë edhe arbitri pati komplikacione. Kishte dhimbje koke dhe vetëm pas pushimit mundi të qetësohej e të vazhdonte normalisht drejtimin e pjesës së dytë.

Gjyqtari i katërt, Anxhi Lushi, po bëhej gati ta për zëvendësuar, por kryesori bëri heroin dhe e vazhdoi vetë ndeshjen. Ndërsa lojtari i Drinit pati probleme me nofullën e sipërme dhe ënjtje të syrit. Ai u detyrua të linte fushën, ndërkohë që u zëvendësua nga Ergys Xhuti.

 

 

NDESHJA – Drini i vendit të fundit ua bëri të vështirë gjirokastritëve, pasi rezistoi për gati 69 minuta. Skuadra që ka pësuar më shumë gola në këtë kampionat, 25 të tillë pas fazës së parë, me një portier 13-vjeçar si Ermal Shizhu, ruajti portën e paprekur për më shumë se një pjesë. Edhe pse Luftëtari e shpërnguli lojën në gjysmëfushë, skuadra që drejtohet nga Moxart Uka u mbrojt me të 10 futbollistët që nuk dilnin nga zonë. Kjo detyroi miqtë që të luanin me topa nga distanca, të godisnin nga larg, por pa rezultat. Pjesa e parë u mbyll pa gola.

 

Vetëm pas 23 minutash nga nisja e së dytës zhbllokohen shifrat. Boni me një gjuajtje të fortë nga 20 metra shënon për 0-1. Pas 5 minutash është Këndella, që i sapofutur në lojë, dyfishon shifrat me një gjuajtje në hyrje të zonës. Futja në lojë e Argjiro Strokës, i cili në dy ndeshjet e fundit po përdoret si një “xhol” fatsjellës për të shumëfishuar golat, sjell të tretin. Ai që në kontaktin e parë me topin, fiton 11-metërsh dhe Mahmutaj nuk fal.

Në minutën e fundit, është sërish Shefqet Boni që me një gjuajtje “bombë” vulos shifrat në 4-0. Kështu që gjirokastritët me këtë fitore kanë marrë të vetëm kreun me 15 pikë. Sot zhvillohet ndeshja e fundit e javës së gjashtë, ndërmjet Murlanit dhe FC Kinostudios.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL


Like it? Share with your friends!