Porti i Durrësit antarësohet në organizatën më të rëndësishme, të porteve në Europë (ESPO)


Porti i Durrësit është pranuar në Organizatën Europiane të Porteve Detare (European Sea Ports Organisation), në të cilën bëjnë pjesë 22 porte të Bashkimit Europian. Porti i Durrësit është Porti i parë në rajon që anëtarësohet në ESPO, në cilësinë e anëtarit vëzhgues, krah porteve të Islandës, Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në takimin e parë virtual që është zhvilluar mes anëtarëve të kësaj organizate, ka marë pjesë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Pirro Vengu.

Duke shprehur kënaqësinë që Porti më i madh i Shqipërisë bëhet pjesë e një organizate të tillë, z. Vengu theksoi se ekspertiza e pakrahasueshme e ESPO do të ndihmojë Portin e Durrësit në rritjen e standarteve të shërbimeve portuale dhe në fuqizimin e sektorit detar në Shqipëri.

“Anëtarësimi në ESPO merr një rëndësi të veçantë në kuadër të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Tek ESPO, Porti i Durrësit do të gjejë një mbështetje të fortë në funksion të mbarëvajtjes së projekteve madhore të qeverisë Shqiptare në Durrës dhe Porto Romano.”, u shpreh Vengu.

“Me këtë anëtarësim ESPO forcon prezencën e saj në Mesdhe dhe Adriatik. Kam bindjen se anëtarësimi i Portit të Durrësit do të forcojë edhe më tej marrëdhëniet e mira mes Durrësit dhe porteve europiane, dhe përderisa Shqipëria është qartësisht e angazhuar në rrugën e anëtarësimit në BE, jemi shumë të lumtur të mikpresim portin kryesor Shqiptar në familjen tonë!” tha Annaleena Mäkilä, Kryetare e ESPO.


Like it? Share with your friends!