“Qeveria na ka braktisur”, Basha takohet me fermerët e Rrogozhinës


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot me fermerë në tregun agroushqimor të Rrogozhinës, ku dëgjoi prej tyre situatën shumë të rëndë të ekonomisë familjare në fshat. Të gjithë fermerët pohuan se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria, megjithëse pandemia i goditi rëndë.

“Jam në tregun e Rrogozhinës në këtë lidhje të drejtpërdrejtë. Siç e shikoni, gjendja e fermerëve dhe gjithë atyre që shesin prodhimet e tyre, prodhimet e bahçes, prodhimet e serës është po aq, edhe më e keqe se gjendja e bizneseve që kemi vizituar këto ditë në Tiranë, Durrës. Konsumi ka rënë zero. Rrinë këtu me orë të tëra për 10, 15, 20 mijë lekë xhiro në javë dhe jo në ditë. Askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy, as ndihmë financiare, as ndihmë ushqimore, gjendja e fermerëve është e rënduar. Propaganda me regji qendrore tregon një pamje të gënjeshtërt, totalisht pa lidhje me realitetin. Kjo është një Shqipëri e robëruar nga Edi Rama me 5 oligarkë e cila vazhdon të paguajë për krimet, për hajdutërinë, për zhvatjen e kësaj shoqërie. Ndaj, shpëtimi i vetëm është një orë e më parë të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit dhe t’i japim fund kësaj të keqe dhe të kthejmë bashkë me demokracinë edhe institucionet tuaja, edhe ekonominë, edhe punësimin, edhe mbështetjen për njerëzit punëtorë. Sot në Shqipëri nuk mbështetet punëtori, nuk mbështetet njeriu i punës, nuk mbështetet prodhimi, mbështetën kriminelët, mbështetem hajdutët, mbështetën 5 oligarkë, e gjithë Shqipëria punon për 5 oligarkë. Kjo situatë do të marrë fund dhe duhet të marrë fund një orë e më parë. Ky është realiteti këtu nga tregu i Rrogozhinës. Tani do të shkoj tek disa prej fermerëve të Rrogozhinës. Ky është realiteti i vërtetë i Shqipërisë reale. Kjo është Shqipëria reale, ndërsa shfaqjet me regji qendrore janë një fantazi e pështirë, një gënjeshtër e madhe e cila duhet dhe do të marrë fund një orë e më parë”, tha Basha.

 

 


Like it? Share with your friends!