Rama: Premtoj amnisti për paratë e emigrantëve dhe lehtësim të masave anti Covid


Rama në takimin me të rinjtë në Burrel ka premtuar amnisti për paratë e emigrantëve. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se kushti i vetëm është që këto para të mos jenë të ardhura nga krimi.

Postimi i plotë

“Ne do t’u japim 5000 euro çdo djali dhe vajze, çdo burri dhe gruaje që janë në emigracion dhe duan të hapin shtëpinë e vjetër të gjyshit, të babës, për ta kthyer në bujtinë për të ndërtuar një agroturizëm me produktet e zonës. Do t’u bëjmë një amnisti direkte atyre për t’i sjellë këtu pa ju kërkuar llogari, se i kanë mbajtur në bankë apo poshtë jastëkut, mjafton të mos jenë para të krimit. Dhe këto para të vijnë këtu se janë para gjaku, para djerse, para shqiptarësh, dhe të hidhen këtu. Dhe gjithë kjo parajsë të fillojë të shikojë këto lule të një ekonomie të re, tha Rama.

“Nuk e harroj kur kam ardhur për herë të parë, shikoje vetëm gropa, pluhur, rrëmujë. Sot është një vend që po merr jetë hap pas hapi, por sot Mati nuk është gjëkundi me atë që ishte. Ëndrra shekullore e ujit të pijshëm nuk është më një ëndërr, por çështje kohe, sepse po investohet në dy ujësjellësat që do ta bëjnë qoftë Burrelin, qoftë Matin me 24 orë ujë. Unë e di që kanë të drejtë ata që thonë “akoma me ujin e pijshëm merreni!” Ne nuk kemi 100 vjet në detyrë. Situata ishte katastrofike. Kur i thashë Gonit ti do kandidosh. Më tha kryeministër, jam shumë i qartë për të gjitha vështirësitë por nëse nuk më premton se do tu japim ujin 24 orë matianëve të lutem mos ma kërko”, tha më herët kreu i qeverisë.

Mes të tjerash kreu i qeverisë sqaroi edhe faktin se në fund të Ramazanit do të lehtësohen masat anti-covid.

“Përfitoj nga rasti që t’ja uroj të gjithë besimtarëve myslimanë këtë muaj kaq të rëndësishëm për ta. Dhe më vjen mirë që fillimi këtij muaji përkoi me një moment jashtëzakonisht optimist kundër armikut të padukshëm. Kështu u bë e mundur që jo vetëm të shtyhej ora policore, por shumë më e rëndësishme kështu bëhet e mundur që bashkë me përfundimin e muajit të Ramazanit ne dalim në një tjetër nivel në luftën kundër armikut të padukshëm.”, tha Rama.

Pjesë nga fjalimi

Faleminderit për mikpritjen dhe e mirëkuptoj gjithë nervozizmin e Gonit, sepse donte që të kishim një takim më të madh, ta kishim jashtë, por nuk janë numrat në takime që tregojnë forcën, por janë numrat në votime që tregojnë forcën.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të jemi të bashkuar si shqiptarë, siç kemi qenë qysh në ditën e parë kur u detyruam të mbyllemi, për t’ia dalë deri në fund kësaj lufte ku çdo ditë po fitojmë terren ndaj armikut të padukshëm dhe ku më shpejt se shumë të tjerë po e shohim dritën që zmadhohet në fund të tunelit. Të bashkuar të besojmë fort tek fakti që krahas vaksinimit masiv duhet të jemi të kujdesshëm me distancimin.

Është shumë e rëndësishme që vaksinimi masiv të ketë sukses të plotë, një orë e më parë dhe Shqipëria e tëra të buzëqeshë përsëri, siç buzëqeshin sot, çdo ditë, mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë që pas një sfilitjeje shpirtërore, psikologjike, por edhe një vështirësie më të madhe ekonomike për shkak të pandemisë, të vaksinohen dhe ndjehen të çliruar.

Është një moment në jetën time ku vërtet ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe ku është një mundësi reale shumë e prekshme për të kuptuar sa e rëndësishme është që politika të bjeri në duart e duhura. Ne jemi mësuar që ta trajtojmë politikën si një të keqe. Ne jemi mësuar që, kur flasim për politikën, të kemi parasysh politikanët, të kemi parasysh gjithçka, për fat të keq, jo të mirë që politikanët bëjnë. Të kemi parasysh edhe hendekun e madh që politikanët janë të aftë të krijojnë me njerëzit. Rëndom, sidomos mes të rinjve, ju dëgjoni shprehjen “varja se është e kotë. Politika është e pisët. S’dua t’ia di fare për politikën, nuk dua t’ia di se kush fiton e kush humbet, nuk dua t’ia di fare për votën”.

Në fakt, politika është e vetmja armë që kanë njerëzit që kanë vendosur të jetojnë së bashku, qysh se kanë dalë nga pyjet dhe kanë ndërtuar komunitet e pastaj kanë menduar se si të organizohen në një shtet, për të bërë gjërat që të vetëm nuk i bëjnë dot. Për të organizuar mbrojtjen e tyre, për të organizuar sigurinë e brendshme të komunitetit, për t’u organizuar përmes kontributeve të tyre që të ndërtojnë infrastrukturën, spitalet, çerdhet, kopshtet, shkollat, që të  garantojnë se ata që janë më të pamundur të ndihmohen. Të gjitha këto i bën politika.

 


Like it? Share with your friends!