Rritet censura online! Parlamenti turk miraton legjislacionin për kontrollim të rrjeteve sociale


Parlamenti i Turqisë ka miratuar të mërkurën legjislacionin për rregullim të rrjeteve sociale siç janë Twitter dhe Facebook, duke detyruar këto të fundit të veprojnë në përputhje me kushtet e ashpra, apo në të kundërtën do të gjobiten apo do t’iu kufizohet aktiviteti.

 

Sipas legjislacionit, kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale, Facebook dhe Twitter duhet të kenë zyrat e tyre përfaqësuese në Turqi për të trajtuar ankesat kundër përmbajtjes në këto platforma.

 

Dështimi i të emëruarit të një përfaqësuesi, që duhet të jetë shtetas turk, do të rezultojë me gjoba, ndalim të reklamimit dhe zvogëlim të aktivitetit, që më pas do të vështirësonte përdorimin e tyre.

Legjislacioni i ri po ashtu u kërkon ofruesve të këtyre shërbimeve që të ruajnë të dhënat në Turqi, duke e bërë më të lehtë qasjen në to nga prokurorët dhe autoritetet tjera.

 

Grupet për të drejtat e njeriut dhe ata për liri të shprehjes kanë paralajmëruar se ky dokument do t’iu lejojë autoriteteve që të rrisin censurën online, andaj u kanë bërë thirrje gjigantëve teknologjikë, sikurse Google, që ta refuzojnë atë.

 

Qeveria e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se kjo rregullore është e nevojshme për luftim të krimit kibernetik dhe mbrojtjes së përdoruesve.

Erdogan ka kërkuar ligjin duke u zotuar “se do të kontrollojë rrjetet sociale” dhe do ta zhdukë imoralitetin.

 

Ligjvënësit opozitarë kanë thënë se ky ligj do të zvogëlojë lirinë e shprehjes, në një shtet ku mediat veçse janë të kontrolluara nga qeveria dhe shumë gazetarë janë nëpër burgje. Sipas Asociacionit për Liri të Shprehjes, aktualisht në Turqi janë të bllokuara më shumë se 408,000 faqe në internet.

Një ndalesë në faqen Wikipedia është hequr në muajin janar, pas gati tre vjetësh. Qindra persona janë hetuar dhe disa prej tyre janë arrestuar për shkak të postimeve në platformat e rrjeteve sociale.


Like it? Share with your friends!