Sako: Problemi i evedimit të mbetjeve urbane të Durrësit, do të marrë zgjidhje brenda 6 mujorit


Problemi i evadimit të mbetjeve urbane të Durrësit, që u shndërrua në një shqetësim për banorët, jo vetëm të qytetit, por edhe të njësive vendore mbetet i hapur. Zgjidhja e përkohshme 4 mujore, për t’i dërguar në Sharrë ka normalizuar situatën e krijuar rreth dy javë më parë. Ndërkohë, që kjo periudhë po shfrytëzohet nga institucioni i qeverisjes vendore, për të mos ripërsëritur odisenë e gjetjes së një vendgrumbullimi për mbetjet urbane.

Nga aktiviteti i zhvilluar në mjediset e Muzeut Arkeologjik, ku ishte e pranishme, kryetarja e emëruar e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako i ka dhënë përgjigje interesimit të gazetarëve, në lidhje me këtë çështje.

Bashkia dhe Qarku po ndërmarrin hapa ligjorë, që do të japin mundësinë e një vlerësimi, lidhur me aspektin financiar, për të mundësuar një zgjidhje përfundimtare dhe të përballueshme nga autoriteti vendor tha kryebashkiakja Sako, duke siguruar taksapaguesit se brenda këtij 6 mujori do t’i hapet rrugë problemit të krijuar.Në të njëjtën kohë, drejtuesja e  Bashkisë së Durrësit ka siguruar se po punohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Mbyllja e landfillit në Porto Romano ka krijuar një ngërç institucional për evadimin e mbetjeve urbane të Durrësit. Që në nisje, Bashkia e Durrësit  shpalli pafuqinë financiare, për t’i dërguar këto mbetje në Sharrë, duke e shndërruar qytetin në një vatër infeksioni.

Kërkimet për një vendgrumbullim në një nga njësitë vendore, nën juridiksionin e institucionit të qeverisjes vendore Sukth apo Manëz rezultuan të pasuksesshme, pasi hasën në kundërshtinë e banorëve të këtyre zonave.

Ndërkohë, këshilli bashkiak  shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore.
Për 4 muajt në vijim, mbetjet urbane të Durrësit, do të depozitohen në Sharrë. Kohë që do t’i shërbejë autoritetit vendor t’i japë zgjidhje përfundimtare problematikës së krijuar.

 


Like it? Share with your friends!