Sejko: Duhet të eksplorojmë instrumentet jo-konvencionale të politikës monetare


Sfidat që ka shtruar kriza për politikat monetare të ndjekura nga bankat qendrore mund ta bëjnë të nevojshëm përdorimin e instrumenteve të reja, jo-konvencionale.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha gjatë fjalës në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës, se edhe banking qendror po përballet me një normalitet të ri, që i shton sfidat për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve

“Në fushën e bankingut qendror, “normalja e re” do të vijojë të karakterizohet nga një kurbë Filipsi e sheshuar ku pagat, punësimi apo rritja ekonomike, do të vijojnë të kenë një lidhje të dobët me inflacionin. Sfidat në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve do të vijojnë të jenë të pranishme. Kjo dikton nevojën për përmirësimin e mekanizimit të transmetimit të politikës monetare dhe duke e bërë të nevojshëm eksplorimin e instrumenteve jo-konvencionale si alternativa të mundshme e të vlefshme për administrimin e goditjeve në të ardhmen,” tha Sejko.

Sipas tij, këto sfida bëjnë të nevojshme rritje e fleksibilitetit të institucioneve publike, për t’i bërë ato më  të afta për të evoluar, për të përvetësuar ndryshimet rreth tyre, dhe për të nxitur inovacionin. Guvernatori theksoi se kriza financiare globale dhe pandemia sollën në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm që ka politika fiskale si instrument i stabilizimit të ekonomisë dhe i zbutjes së krizave. Sipas tij, ky mësim pritet të mbetet me peshë edhe në afatin e mesëm e të gjatë, duke i hapur rrugë një roli më aktiv të politikës fiskale në të ardhmen, por pa anashkaluar në asnjë rast nevojën për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.

Në një këndvështrim më të gjerë, Sejko tha se institucionet politikë-bërëse pritet të përballen me sfida strukturore komplekse, të cilat do të përcaktojnë formën dhe përmbajtjen e një realiteti të ri brenda një të ardhmeje jo shumë të largët.

“Rritja e barrierave në tregtinë ndërkombëtare, plakja e popullsisë, emigrimi, frenimi i inovacionit, ngrohja globale, rritja e pabarazisë dhe tensionet në rritje sociale, janë probleme akute globale. Në përgjigje të tyre, autoritetet publike duhet të angazhohen pa humbur kohë në reforma të koordinuara strukturore të cilat adresojnë – ndër të tjera – nxitjen e inovacionit dhe rialokimin e burimeve midis sektorëve të ekonomisë, tregtinë e lirë, qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe ruajtjen e konsensusit social. Për më tej, një “normale e re” do të kërkojë një koordinim të kujdesshëm të politikave publike, në mënyrë që të arrihet një balancë optimale mes rritjes ekonomike dhe stabilitetit ekonomik, monetar e financiar,” u shpreh Guvernatori

monitor/


Like it? Share with your friends!