Siguria ushqimore, inspektorët e AKU-së do përzgjidhen nga Komisioni për Auditimin e Trupave certifikuese


Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe trupa të tjera certifikuese që sigurojnë rregullat e konkurrencës te fermerët dhe informacionin e nevojshëm te konsumatori, për cilësinë e produkteve bujqësore do të miratohen edhe kontrollohen nga Komisioni për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (KMATC).

Komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, që do të kryesohet nga zëvendësministri i Bujqësisë. Në fletoren zyrtare është botuar vendimi për përbërjen, funksionin dhe detyrat e trupës audituese bazuar në ligjin “Për skemat e cilësisë të produkteve bujqësore dhe ushqimore” i miratuar në 2019. Vendimi përcakton se në përbërje të komisionit do të jetë edhe drejtori i drejtorisë përgjegjëse për skemat e cilësisë, në ministrinë e Bujqësisë; një përfaqësues nga institucioni për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, me eksperiencë mbi 5-vjeçare, pjesë e strukturës së kontrollit të skemave të cilësisë, sipas ndarjes së funksioneve, bazuar në analizën e riskut;  një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, me eksperiencë në fushën e produkteve bujqësore dhe ushqimore; një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor, nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit.

Detyra e komisionit do të jetë të vlerësojë për miratim kërkesën e trupave certifikuese për kryerjen e verifikimit të përpunueshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara me STG, EOM dhe TGJM me specifikimet përkatëse, para tregtimit. Autoritetet kompetente për kryerjen e verifikimit të përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM, me specifikimet përkatëse, para vendosjes së tyre në treg, janë: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe trupat certifikuese, të miratuara.

Komisioni miraton trupat certifikuese, nëse plotësohen kushtet e akreditimit, në përputhje me Standardin Europian EN 45011 ose ISO/IEC17065, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e akreditimit. Trupa certifikuese e miratuar do të pajiset me një numër identifikimi.

Vendimi përcakton se edhe plani i kontrollit të trupave certifikuese për kryerjen e verifikimit të përpunueshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore do të miratohet nga Komisioni i Auditimit. Puna e kontrollorëve do të shqyrtohet do të vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni, duke shmangur mbivendosjen me auditin e kryer nga organizmi akreditues.

Anëtarët e komisionit propozohen nga institucionet përkatëse dhe emërohen e shkarkohen me urdhër të ministrit.  Emërimi i anëtarëve të komisionit bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Ministri i Bujqësisë cakton, me urdhër, kryetar të komisionit zëvendësministrin përgjegjës për skemat e cilësisë.  Në vendim përcaktohet se shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarit të komisionit përpara mbarimit të mandatit bëhet me urdhër të ministrit nëse nuk paraqitet në 3 mbledhje të njëpasnjëshme të komisionit dhe nuk paraqet justifikime të provuara për këto mungesa apo me kërkesën e tij për dorëheqje. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një institucion publik i cili i raporton Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, është përgjegjës për kontrollin e zbatimit te legjislacionit që ka të bëjë me sigurinë e ushqimore  dhe mbrojtjen e konsumatorit. AKU konsiston në tre drejtori në nivelin qendror dhe 12 drejtori rajonale. AKU menaxhon 11 laboratorë rajonalë të cilët kryejnë analiza të sigurisë dhe cilësisë së produkteve ushqimore./Burimi:ATA


Like it? Share with your friends!