“Te jemi të qartë, ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur”, Yuri Kim reagon sërish: Fushata të shtrenjta për të blerë ndikim…


Në harkun e pak minutave, abasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar sërish në lidhje me punën e SPAK dhe policisë në ndëshkimin e kriminelëve, ndërsa ka publikuar në Twitter komentin që ka bërë në Facebook ambasada në faqen e saj zyrtare.

Kim shkruan se rastet e rëndësishme të punës së organeve ligjzbatuese ndeshin në fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe konfuzion, ndërsa sipas saj duan ti shpëtojnë drejtësisë.

“Rastet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe konfuzion, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën, për t’i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur – asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK & ASP.”, shkruan Kim.

Më herët, Ambasadave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shprehur mbështetjen e saj për punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut ndërsa thekson se profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

Me anë të një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada shkruan se ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa nuk sqarohet se kujt i referohet zyra e rëndësishme e diplomacisë në vend.

“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, thuhet në reagimin e ambasadës.


Like it? Share with your friends!