TRANSPORTI PUBLIK rifillon punën, pak njerëz në stacione dhe maskat të detyrueshme. Korriku vetëm me bileta, abonetë shpërndahen në gusht


Ditën e sotme në orën 05:00 të mëngjesit ka rifilluar punën edhe transporti publik në TIranë, pas një periudhe pushimi për më shumë se 3 muaj. Pas presionit të Bashkisë së Tiranës por edhe përmbushjes së disa nga kërkesave të tyre, urbanët në Tiranë do të rifillojnë të lëvizin nëpër kryeqytet. Dy kërkesat e tyre të panegociueshme ishin marrja e një page të dytë lufte prej 400 mijë lekësh dhe ndryshimi i protokollit të përgjegjësisë, që do të thotë se fatorinot dhe shoferët nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse do të ketë qytetarë pa maskë në urbane, por përgjegjësia do të jetë individuale.

Por nga një vëzhgim mëngjesin e sotëm është parë që stacionet e autobusëve nuk ishin të tejmbushur si gjithmonë, me qytetarët që prisnin të shkonin në punë me urbane. Kjo vjen si pasojë e frikës që qytetarët kanë nga infektimi me COVID-19, por ndoshta edhe se pushimet verore kanë filluar dhe shumë prej qytetarëve të kryeqytetit janë larguar drejt qyteteve të tjera. Ndërkohë për muajin korrik nuk do të ketë abone, por vetëm bileta, pasi shpërndarja e aboneve do të fillojë në muajin gusht, ndërsa abonetë e muajit mars që qytetarët i blenë por nuk i përdorën do të të quhen të pavlefshme.

 

Rregullat që duhen ndjekur:

 

Çdo përdorues i transportit publik qytetas/rrethqytetas është i detyruar të përdorë maska gjatë udhëtimit me autobus, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.

 

Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.

 

Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.

 

Ndërkaq, sikurse është rënë dakord mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik,  mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.

 

Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.

 

Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.


Like it? Share with your friends!