Turizmi, nisin charterat me ukrainas drejt Shqipërisë, në fund të majit 5 fluturime në javë


Sezoni turistik ka filluar zyrtarisht për Shqipërinë, e cila këto ditë po pret turistët e parë të huaj që kanë nisur të vijnë nga Ukraina.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njoftoi se pikërisht në ditën kur në vendin tonë mbaheshin zgjedhjet, është ulur edhe charteri i parë me turistë.

“SkyUp Airlines ishte linja e parë ajrore që rifilloi fluturimet turistike midis Ukrainës dhe Shqipërisë. SkyUp Airlines rifilloi fluturimin nga Kyiv Borispol (KBP) për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ‘Nënë Tereza’ (TIA) më 25 Prill. Shërbimi fillimisht do të bëhet dy herë në javë, të enjteve dhe të dielave duke përdorur avionët Boeing 737-800, duke u rritur në 5 fluturime në javë nga fundi i majit” thuhet në njoftimin e TIA.

Mbërritja e ukrainasve është padyshim një lajm i mirë për turizmin veror në përgjithësi në vend. Edhe vitin e shkuar, pavarësisht situatës së pandemisë ukrainasit ishin tek grupet e turistëve që vazhduan të vinin drejt Shqipërisë po me chartera ashtu sikurse pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj polake edhe turistët nga ky vend erdhën për disa javë në zonën e Golemit.

Përmirësimi i situatës së pandemisë në vend ku ka një ulje të numrit të infektimeve, ecuria me programin e vaksinimit përfshirë specifikisht edhe punonjësit në sektorin e turizmit janë disa nga arsyet pse pritshmëria për këtë sezon është më e mirë sesa ai i vitit të shkuar.

Gjatë vitit 2020, baza e mbështetjes për sektorin e turizmit ishte nga grupi mbarëshqiptar që vinin kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë që një lloj ndikimi e kishte edhe turizmi i brendshëm ku shqiptarët u detyruan të qëndronin në vedn për shkak të kufizimit të qarkullimit.

Edhe për këtë vit turoperatorët mendojnë se sërish turizmi mbarëshqiptar do të jetë kryesori në kontribut.

Lidhur me disa nga grupet kryesore që kanë qenë më aktivët në turizmin e organizuar si çekët, nordikët në vitet e fundit situata ka qenë më e rezervuar dhe vendet e tyre kanë qenë më të kujdesshme duke mos lejuar udhëtimin drejt vendeve që cilësoheshin me risk të lartë (sezonin e kaluar Shqipëria kategorizohej si e tillë).

Në vitin 2020 sipas të dhënave zyrtare numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri ishte 2.657.818, duke rënë me 58,5 %, në krahasim me vitin 2019.

“Gjatë vitit 2020, Kosova kishte rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e kishte Spanja me 90,3 %, krahasuar me vitin 2019.

 

Verën e kaluar udhëtuan gati 26 mijë ukrainas, njësoj me polakët

Destinacionet e charter-ave ishin mjaft të kufizuara në 2020-n për shkak të kufizimeve nga pandemia. Nga 25 të tilla në 2019-n, në vitin e pandemisë nga Rinasi charter-at fluturuan vetëm në 10 aeroporte të Europës.

Polonia mbeti shteti kryesor, nga i cili erdhën më shumë turistë, me 26 mijë që udhëtuan drejt dhe nga Rinasi, ndonëse në një rënie të fortë prej 74% në raport me vitin e mëparshëm. Me Ukrainën trafiku i pasagjerëve ishte 25.8 mijë, me një zgjerim prej 58% me bazë vjetore, duke arritur pothuajse në nivelin e turistëve polakë.

Krahas polakëve e turistëve nga Kosova, turizmin shqiptar e shpëtuan dhe ukrainasit dhe bjellorusët, që ndryshe nga gjithë shtetet e tjera shënuan rritje të ndjeshme. Nga dhe drejt Bjellorusisë udhëtuan rreth 19 mijë pasagjerë, dyfish në raport me një vit më parë.

Në verën e 2020-s munguan izraelitët, çekët, norvegjezët, suedezët, danezët, finlandezët, si dhe të tjerë nga Rusia, Letonia e Lituania, që sapo kishin filluar të  zbulonin Shqipërinë.

Të dhënat zyrtare të “Tirana International Airport” (TIA) bënë të ditur se në vitin 2020 udhëtuan me charter turistikë (vajtje-ardhje), rreth 77 mijë pasagjerë (përjashtuar Antalia-n). Në raport me 2019-n, më i miri për turizmin deri tani, është shënuar një rënie prej 70%.


Like it? Share with your friends!