Vettingu: Ja propozimi i Monika Kryemadhit.


Lidhur me shkurtimin e numrit të punonjësve dhe buxhetin e institucioneve të Vetting-ut, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka kritikuar drejtëpërdrejtë Ramën.

“Kush mund ta besojë më këtë mazhorancë, se e ka marrë seriozisht implementimin e plotë dhe objektiv të Reformës në Drejtësi, kur në të vërtetë përmes akteve të saja politike, kërkon të luajë rolin e Zeusit, pra rolin e vendimmarrësit mbi drejtësinë dhe sistemin e saj në vend. Pa filluar akoma zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe procesi i Vetting-ut, qeveria kërkon të pengojë funksionimin e institucioneve të saj zbatuese dhe të diktojë financiarisht funksionimin e tyre duke i rrudhur buxhetet, duke u treguar gjoja kursimtare me dorë të shtrënguar dhe t’u diktojë atyre ekonomikisht pavarësinë e tyre, duke krijuar një varësi të qëllimtë kontrolluese.

A mundet që buxheti i shtetit të na kërcënojë kaq shumë dhe madje ta falimentojë këtë strukturë Vetting-u, thjesht sepse institucionet përkatëse të Vetting-ut në të drejtë të tyre kërkojnë të kenë numrin e caktuar dhe ne si parlament duam t’ua shkurtojmë, bëhet fjalë për 70 persona.

Gjej rastin dhe i propozoj kryeministrit le t’i shkurtojë 70 veta nga stafi i tij, në qoftë se nuk i shkurton, jam dakord me atë ç’ka propozoi z.Naço, le t’i marrim disa dhe Presidentit, t’i marrim dhe disa Kuvendit se janë 405 Kuvendi dhe 30-40 le t’ia marrim kryeministrit dhe opozitës t’i heqim kauzën që kemi marrë këtu prej disa orësh për Vetting-un, por ndërkohë edhe trendi i Vetting-ut mund të vazhdojë pa trazira artificiale.

Por problemi fle diku tjetër, nuk është çështje këshilltarësh, nuk është çështje pagesash, por është çështje e dominimit dhe e kapjes së këtij sistemi”, tha Kryemadhi dje në Kuvend.


Like it? Share with your friends!