A po “flirton” PD me LSI? Deklarata e Palokës e paqartë…


Partia Demokratike shprehet e hapur të bashkëpunojë në opozitë me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nënkryetari, Edi Paloka, tha se kundër kësaj qeverie që sipas tij është e keqja e vendit, duhet të bashkëpunohet jo vetëm me LSI-në por me çdo qytetar. Paloka, tha se gjate procesit të reformës zgjedhore do të kërkohet edhe ndryshimi i hartës territoriale.

Edi Paloka thotë se Partia Demokratike është e hapur të bashkëpunojë më Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe çdo qytetar të këtij vendi, për të larguar këtë qeveri, që siç thotë ai, është më e keqja në histori.

Paloka: Sigurisht ne jemi të hapur jo vetëm të bashkëpunojmë me LSI-në por me çdo qytetar i cili është gati të bëhet pjesë e një fronti të gjerë kundër një qeverisje që mund të jetë qeverisja më e keqe që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, tha se gjatë procesit të reformës zgjedhore do të kërkohet dhe ndryshimi i hartës territoriale. Sipas Palokës, ajo u bë vetëm për efekt elektoral.

Paloka: Reforma territoriale siç ne e kemi denoncuar më se një herë për ne është kryer në atë formë vetëm për arsye politike dhe sigurisht që jo vetëm nuk dha rezultatet për të cilat u premtua nga Rama por përkundrazi pati efekte krejtësisht negative. Sot është domosdoshmëri jo thjesht për faktin që kemi të bëjmë me një hartë krejtësisht elektorale por edhe për faktin sepse qytetarët nuk po arrijnë të marrin asnjë nga shërbimet që kanë marrë dikur nga pushteti lokal.

Duke folur për procesin e  analizës, Paloka tha se ajo tashmë ka nisur dhe synon që të evidentojë shkaqet e humbjes të cilat sipas tij krahas blerjes së votës janë edhe ato të mos funksionimit të strukturës.


Like it? Share with your friends!