Çfarë do të thotë integrimi në BE për qytetarët shqiptarë?


Dhjetë mënyra se si përafrimi me standardet e BE-së duhet të ndikojë te qytetari, fermeri, punëmarrësi dhe biznesi i vogël.

Nuk jam juriste, ekonomiste apo eksperte në ndonjë fushë të veçantë të integrimit evropian. Po shkruaj si përkthyese që prej dekadash punon me gjuhën e përdorur nga institucionet.

Në dokumentet dhe takimet ku përkthej, has shpesh shprehje si “përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së”, “përmbushje e standardeve evropiane”, “rritje e kapaciteteve institucionale”, apo “zbatim reformash”. Janë shprehje të rëndësishme, por jo gjithmonë u tregojnë njerëzve se çfarë do të ndryshojë realisht në jetën e tyre.

Një pyetje që mund ta bëjnë me të drejtë shumë njerëz është:

“Çfarë do të thotë integrimi europian për mua që jetoj, ta zëmë, në fshatin Paftal të Beratit, në malin e Shpiragut”.

Po përpiqem të “përkthej” integrimin evropian jo në gjuhën institucionale, por në gjuhën e përditshme. Këtë herë, jo nga anglishtja në shqip, por nga gjuha e rafinuar e ekspertëve në gjuhën e njerëzve që pritet të përfitojnë prej tij.

Dhjetë pika e mëposhtme nuk shpjegojnë të gjithë procesin e anëtarësimit në BE. Ato tregojnë se si e kuptoj unë qëllimin e integrimit.

Për mua, integrimi nuk mbaron me përkthimin, ndryshimin apo miratimin e një ligji. Ai fillon të marrë kuptim kur shohim ndryshime në rrugë, në shkolla, në qendra shëndetësore, në tokat bujqësore dhe në lumenjtë e përrenjtë ku sot hedhim mbeturinat.

Ja dhjetë fusha konkrete ku duhet të ndihet integrimi:

Integrimi duhet të sjellë standarde më të larta për cilësinë e ujit, kontrolle të rregullta dhe institucione që reagojnë kur shëndeti i njerëzve vihet në rrezik.

Nuk mjafton që një rrugë të ndërtohet. Ajo duhet të jetë e sigurt, të përballojë kohën dhe të mos kushtojë disa herë më shumë nga sa duhet për shkak të punimeve të dobëta apo keqadministrimit.

Përafrimi me standardet evropiane kërkon që mbetjet të mos zhvendosen thjesht nga një vend në tjetrin, por të mblidhen, ndahen, riciklohen dhe trajtohen pa dëmtuar mjedisin dhe shëndetin.

Integrimi lidhet edhe me sigurinë ushqimore: me kontrollet veterinare, kushtet e prodhimit, etiketimin dhe mundësinë për të gjetur se nga vjen një produkt kur shfaqet një problem.

Fermeri duhet të ketë informacion, këshillim dhe mundësi reale për të përfituar nga fondet, jo vetëm kur njeh dikë apo di të plotësojë një dosje të ndërlikuar.

Integrimi duhet të nënkuptojë që cilësia e arsimit të mos varet vetëm nga vendi ku ka lindur fëmija, nga të ardhurat e familjes apo nga mundësia për të paguar kurse private.

Të drejtat kanë kuptim vetëm kur shoqërohen me shërbime reale: mjekim, terapi, kujdes, mbështetje për familjen dhe mundësi për të marrë pjesë në jetën e komunitetit.

Përafrimi me rregullat evropiane duhet të forcojë mbrojtjen e punëmarrësve, sigurinë në punë, pagesën e kontributeve dhe mundësinë për t’u ankuar pa humbur vendin e punës.

Integrimi duhet të ndihet edhe në sportel: te informacioni i qartë, afatet që respektohen, vendimet që shpjegohen dhe trajtimi i barabartë i çdo qytetari.

Fondet evropiane duhet të përdoren me transparencë, të kontrollohen dhe të sjellin rezultate që qytetarët mund t’i shohin, jo vetëm raporte, aktivitete dhe tabela që duken bukur në letër.

Integrimi në BE nuk është vetëm një proces që zhvillohet në ministri, në Bruksel apo në tavolina negociatash.

Ai duhet të ndihet në ujin që pimë, në rrugën ku ecim, në shkollën ku shkojnë fëmijët, në mënyrën si trajtohen të moshuarit, fermerët dhe njerëzit që kanë nevojë për ndihmë.

Përndryshe, integrimi mbetet vetëm një fjalë e madhe.

*Përkthyese dhe interprete me përvojë shumëvjeçare në fushat e integrimit evropian, drejtësisë, qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Monitor


Like it? Share with your friends!