Cunami në administratë! Mijëra shqiptarë dalin pa punë.


Qeveria ka nisur reformën në administratë. Edhe pse deri më tani ka pasur lëvizje stafesh, me ristrukturimin e ministrive do të duhet të largohen nga detyra shumë persona. Në disa ministri ka rritje të stafit, por në total janë 3.393 persona që do të duhet të largohen nga detyra. Kryeministria në buxhetin e vitit 2017 parashikonte një staf total prej 646 personash, por tani ka vendosur që ky numër të jetë 150 punonjës. Ministria që preket më shumë nga procesi i ristrukturimit është Ministria e Mirëqenies Sociale. Ajo u bashkua me Ministrinë e Shëndetësisë. Në total kjo ministri ka pasur 3042 punonjës, por nga këta vetëm 809 kanë kaluar te ministria e re, pasi 2233 të tjerë do të duhet të largohen.
Ndryshime ka dhe te Ministria e Integrimit. Kjo e fundit u bashkua me Ministrinë e Jashtme, por 68 persona janë larguar sepse nuk janë bashkuar me strukturën e re. Reforma ka goditur dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban. 535 punonjës të saj do të duhet të largohen nga funksionet, pasi ajo u shkri totalisht.
Por qeveria ka vendosur që të rrisë stafin në disa ministri të tjera, sidomos ku ka bashkime.
Numrin më të lartë do e ketë Ministria e Financave, pasi në total do të ketë 5818 punonjës. Ndërkohë një numër të lartë kanë dhe Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme, edhe pse kjo e fundit do ketë 61 persona më pak. Sa u takon dikastereve të tjera, nuk ka ndryshime të shumta. Por ajo që bie në sy është se nuk ka asnjë ndryshim në numrin agjencive. Të njëjtat drejtori e agjenci që kanë qenë vijojnë të jenë, pavarësisht se plani është që shumë prej tyre të shkrihen. Qeveria ka vendosur që ta bëjë gradualisht një proces të tillë, i cili do të zgjasë deri në fund të mandatit.


Like it? Share with your friends!