Drejtuesit vizitë skuadrës, zbulohet marrëveshja për Champions-in te Milani


Stefano Pioli stërvit me kohë të plotë Zlatan Ibrahimoviçin dhe te Milani duket sikur ka lindur dielli. Është normale pasi dihet efekti i suedezit te shokët e skuadrës. Fundja, 39-vjeçari është si një yll rreth të cilit rrotullohen të gjithë të rinjtë, por edhe ata me më shumë përvojë. Në klub besojnë shumë se Ibra mund të ndihmojë ekipin të dalë nga bataku ku është futur me dy humbjet e fundit.

MISIONI – Sipas “Tuttosport”, sulmuesi është plotësisht i rikuperuar dhe dje ka marrë pjesë në ndeshjen e kontrollit. Në grup të gjithë besojnë te lideri dhe janë gati të tentojnë rifutjen në zonën Champions të cilën e humbën të hënën pas disfatës së “Olimpico”-s kundër Lacios. 15 golat në 17 ndeshje kampionati bënë që të meritonte rinovimin, teksa nesër do të ketë mundësi të tregojë se Milani e paguan 7 milionë euro në sezon jo vetëm për të shënuar, por edhe për të shkundur të gjithë ambientin kuqezi në aspektin mendor dhe praktik, pasi tashmë, më shumë se kurrë, nevojiten pikë.

PAKTI – Benevento kërkon gjithashtu rezultate për të mbetur në Serinë A e nuk është një rival i lehtë, por diferenca e vlerave në organikat përkatëse bëjnë që Pioli të jetë i avantazhuar kundrejt homologut Inzagi. Po sipas “Tuttosport”, thuhet se lojtarët e “Djallit” kanë bërë një pakt mes tyre duke u përgatitur për një kthesë e cila mund të shpëtojë një sezon që deri pak javë më parë ishte në kufijtë e perfeksionit. Siç thamë, momenti është delikat dhe mosarritja në Champions mund ta shndërronte në katastrofik. Për të ndihmuar sadopak skuadrën, Paolo Maldini dhe Riki Masara kanë qëndruar pranë organikës gjatë gjithë javës.

Pikërisht drejtori teknik ka kërkuar të flasë personalisht me eksponentët më me peshë të Milanit. Më pas thuhet se ka pasur edhe një mbledhje në dhomat e zhveshjes ku kanë qenë të pranishëm dy drejtuesit dhe Pioli me grupin. Udhëzimi ka qenë i qartë dhe prania e Maldinit ka pasur si qëllim stimulimin dhe zvogëlimin e presionit që duket se është shkaktari kryesor për rënien drastike të kuqezinjve në paraqitje, e sidomos rezultate.

INFERMIERIA – Përveç reagimit në fushë, Pioli po merr reagim edhe nga mjekët të cilët i kanë vënë në dispozicion të gjithë skuadrën. Asnjë dëmtim mes kuqezinjve me trajnerin që do të ketë dorë të lirë në zgjedhjet për takimin e nesërm. Kastijeho në krahun e djathtë dhe Romanjoli në qendër të prapavijës. Në vend të Tomorit pritet të jenë vendimet e teknikut, ndërkohë që të gjithë presin Ibrën titullar.

PANORAMASPORT.AL


Like it? Share with your friends!