Gabimet që bëjmë në larjen e rrobave/ Inxhinieri i mjedisit: Kujdes, mos përdorni shumë detergjent!


Në vetvete, të lash rrobat duket e thjeshtë. Rrobat e palara i vendosim në lavatriçe, hedhim detergjentin dhe pasi ka përfunduar procesi, i ndejmë.

Por nuk përfundon me kaq, mos mendoni që keni vepruar gjithmonë drejtë. Studime të ndryshme kanë treguar se mënyra se si ne i lajmë rrobat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin tonë, ekonomi dhe mjedis.

P.sh. Lumi Ishëm, si një nga lumenjtë më të ndotur në Evropë, është një nga shembujt konkret se si është ndotur kryesisht vetëm nga përdorimi i detergjenteve që përdoren për larjen e rrobave.

Nisur nga ky fakt, grupimi i të rinjve ENFORCE Shqipëri ka ndërmarrë iniciativën “Metoda inovative për reduktimin e ndotjes së lumit Ishëm’’, pjesë e së cilës ishte edhe anketimi i rreth 150 familjeve të qarkut Tiranë mbi përdorimin e detergjenteve komercialë dhe gabimet më të shpeshta që bëjmë për larjen e rrobave.

 

I ftuar sot në “Wake Up” ishte inxhinieri i mjedisit dhe një prej të rinjve që realizuan këtë anketim, Arsiel Mardhaja. Ai tregoi gabimet më të shpeshta që bëhen në larjen e rrobave.

“Te ne ekziston një fenomen, mamatë tona që janë aq të mira dhe punëtore, kanë atë tendencën që sa më shumë detergjent të hedhim, aq më mirë lahen rrobat.

Mirëpo, kjo nuk është fare e vërtetë. Rrobat do lahen si më detergjent shumë, si me pak, por diferenca qëndron këtu, kur ti përdor sasi më të madhe detergjenti ka efekte negative në mjedis dhe jo vetëm.

Një pjesë e detergjentit ngelet në rroba dhe janë kimikate të dëmshme dhe për personat që janë alergjikë, apo vuajnë nga sëmundjet e lëkurës, problemi është shumë i madh”, sqaroi ai.

GSH/

 


Like it? Share with your friends!