Ja ç’ka parashikuar Paolo Fox për të gjitha shenjat gjatë nëntorit


DASHI: Ndikimi i Marsit në shenjën tuaj do të vazhdojë edhe gjatë këtij muaji. Nëse keni një program ose një projekt për të ndjekur, kanë mbetur edhe probleme për të zgjidhur. Për shkak të natyrës suaj impulsive, do të ketë edhe ditë në të cilat do të doni të hiqni dorë nga gjithçka, ndaj duhet të bëni kujdes ndaj debateve rreth datës 12. Duhet ta menaxhoni me kujdes këtë gjendje tensioni, por priten lajme të mira nga dhjetori, pasi do të keni ndryshime të favorshme. Çdo veprimtari, nëse kryhet si duhet, mund t’ju çojë drejt suksesit. Megjithatë, arritja e synimit tani mund të jetë më e ndërlikuar nga ç’mendonit. Me gjasa do të firmosni një kontratë pune, por jo gjithçka do t’ju shkojë fjollë në nëntor. Vetëm pas datës 23 do t’ju duket sikur keni kaluar një makth, një periudhë shumë të koklavitur dhe me peripeci. Për disa është koha e duhur që të lënë një takim me një avokat ose një noter.

Ndikimi i yjeve do të bëjë që përjetimi i ndjenjave të jetë më konfuz, ndoshta për shkak të tensioneve të mëdha në fushën profesionale. Duhet të bëni shumë kujdes nëse një histori dashurie nuk funksionon më, pasi viti 2020 është goxha i vështirë për çiftet që s’kanë harmoni prej kohësh. Ata që janë më tolerantë i shmangin debatet për të pasur ekuilibër në lidhje. Duhet të tregoni më shumë mirëkuptim reciprok. Është më mirë të mos krijoni zënka të kota, sidomos rreth datës 18. Do ta keni të vështirë të tregoheni mirëkuptues në këtë muaj gjatë të cilit ndiheni kaq të zemëruar, të stresuar dhe ndoshta edhe të mërzitur. Kush ka pasur një histori të hidhur në të shkuarën, tani i druhet përsëritjes së një përvoje negative. Ditët e fundit të nëntorit mund ta lehtësojnë situatën sentimentale. Mesi i muajit është më i ndërlikuar, ndaj duhet të bëni kujdes edhe ndaj bezdive të vogla të kyçeve, por edhe të shpinës dhe qëndrimit. Është momenti i duhur edhe për të bërë një vizitë të përgjithshme. Është e rëndësishme të gjeni pak hapësirë për veten. Mos e teproni duke pretenduar së tepërmi nga fiziku juaj. Do ta merrni veten pas datës 21.

DEMI: Duhej të ndryshonit stil jetese që vjet, ndoshta edhe punë, me raste edhe shtëpi. Nëse jo, do të thotë se jeni mirë aty ku jeni, ose është dikush jua ka penguar avancimin. Gjatë këtij muaji duhet të tregoni kujdes pas datës 10, pasi do të mund të keni debate të forta, por edhe rreth datës 20. Mundohuni të bëni kujdes, sepse me pretendimin që keni të drejtë, mund të përfundoni në situata të gabuara. Duhet të jeni më strategjikë, mund t’ju bëjnë edhe një qortim pa vend e në mes të muajit nuk do të shmangni dot debatet. Nuk duhet të përjetoni gjithçka me shumë ankth apo të bëni zgjedhje të nxituara, pasi mund të gaboni.

Puna dhe faktori ekonomik mund të ndikojnë edhe në çështjet sentimentale. Duhet të bëni kujdes sidomos pas datës 10, por sidomos pas datës 21. Asgjë me rëndësi, por nëse kanë mbetur mangësi në një lidhje, do të jetë e vështirë të kompensohen. Mendohuni para se të veproni, edhe pse mund të jeni pak të mërzitur ose të zhgënjyer nga dikush. Mos u tregoni armiqësorë nga data 21-30 nëntor. Të sapomartuarit duhet të shmangin diskutimet rreth përgjegjësive në shtëpi. Do të jetë periudhë e bezdisur, por në fund do të rezultojë konstruktive. Ankthi do të ndihet sidomos rreth datës 14. Përpiquni të mos mundoheni së tepërmi. Sa herë të mundeni, ndaloni nga pak. Ritmet e punës janë të larta, ndaj shmangni ushqimet e përpunuara dhe ëmbëlsirat. Kontrolloni dietën, nëse keni prirje të shëndosheni. Nuk është periudhë e vështirë, por ky muaj ka më shumë tension se muajt e tjerë. Bëni kujdes edhe gjatë 10 ditëve të fundit të muajit, pasi mund të keni ndonjë bezdi kalimtare, si në shpinë, për shembull. Nga data 20 mos u mundoni së tepërmi.

BINJAKËT: Ndikimi i Venusit në shenjën tuaj mund ta kufizojë paqartësinë e muajit të kaluar. Ky planet nuk përfaqëson vetëm dashurinë, por edhe punën, sidomos mënyrën si prezantohemi para të tjerëve. Do të keni më shumë lehtësi në biznes, në transaksione bankare. Ata që kanë hapur një aktivitet që vjet dhe nuk po marrin ende fitime të kënaqshme, do të marrin një telefonatë të rëndësishme. Për më tepër, po i afroheni një dhjetori shumë të rëndësishëm në aspektin profesional. Edhe për studentët është muaj i mbarë. Do të nisë një vit i mbarë për ata që janë prej kohësh pa punë. Do të shihni frytet e një transferimi së fundmi.

Është muaj më i thjeshtë se tetori në aspektin personal dhe dashuria do të jetë më afër. Mund të mendoni edhe t’i riktheheni një historie të vjetër, pasi tani mund të kuptoni ç’ndodhi vërtet. Shtohet forca dhe dyfishohet magjepsja. Ndikimi i Venusit në favorin tuaj i bën më pozitive datat 3 dhe 4. Tri fundjavat e para të muajit janë goxha interesante, por edhe data 29. Periudhë e favorshme edhe për çiftet që duan të bëjnë një fëmijë. Forma fizike do të përmirësohet, edhe pse në tetor keni pasur disa shqetësime. Kujdes nga nervozizmi. Binjakët, edhe pse nuk mendojnë për situata negative, mund të dalin gjithë ditën shëtitje, ose të rrinë në punë deri vonë. Kujdes të mos stresoheni shumë, ndaj ruhuni në datat 22 dhe 23, pasi do të jenë pak më të ngarkuara. Ju, që për arsye kohe mundoheni t’i bëni të gjitha me vrap, duhet ta ulni pak ritmin dhe të shmangni shqetësimet që vijnë si pasojë e stresit.

GAFORRJA: Për shkak se ndryshoni shpesh humor, në punë, diçka që ju duket e drejtë një ditë, mund të mos ju duket e tillë një ditë tjetër. Më shumë se ju, ndryshojnë mendim ata që ju rrethojnë. Nuk e keni të vështirë të ndryshoni humorin, pasi jeni shumë të ndjeshëm ndaj ngjarjeve të jetës dhe të ekzistencës në përgjithësi. Mund të mendoni të ndryshoni kompani ose të punoni me një projekt të ri, pasi të shikoni më shumë mundësi. E rëndësishme është të kuptoni që duhet të ndryshoni dhe që nga vjet kanë ndryshuar bashkëpunimet, programet, projektet dhe madje edhe ortakët. Sigurisht që s’do ta keni të lehtë të ruani qetësinë, ndaj nëntori do të jetë muaj tensionesh ndaj të cilave duhet të keni kujdes.

Tensioni në punë sigurisht që do të ndikojë edhe në dashuri, ndaj në nëntor mund të vini në pikëpyetje ndjenjat tuaja. Bëni kujdes, sepse nuk është periudha e duhur për diskutime të kota që mund të sjellin dëme të pandreqshme. Gjithsesi, problemi juaj janë lidhjet e reja dhe xhelozia që mund të lindë në lidhjet më pak të konsoliduara. Rreth datave 5 dhe 6 nuk do ta keni të lehtë të mbani gjithçka në kontroll në familje. Situata do të ndryshojë dhe do të keni më shumë lehtësira që në fund të muajit, më datë 21. Tensioni mbetet i lartë gjatë muajin nëntor, por do të ketë edhe të reja. Nga data 17, Saturni do t’ju favorizojë, ndaj duhet ta ndieni që tani se jeni më të fortë, që mund të gjeni përgjigjen e problemeve të shkuara. Me një mjek të zotin mund të gjeni sërish qetësinë. Mund t’ju duhet të merrni ndonjë vitaminë më shumë për të shmangur gripin e stinës, ose ndonjë të ftohur që nuk ju largohet.

LUANI: Nëntori dhe dhjetori mund të sjellin goxha pakënaqësi profesionale. Mund të mos vazhdojë një aktivitet i nisur që vjet. Bëni gjithmonë polemikë, sepse ju duket sikur mundi juaj nuk vihet re, ndaj ju këshillohet kujdes. Është një moment në të cilin pakënaqësitë mund t’ju shtyjnë të thoni ose të bëni diçka që do t’ju shkaktojë probleme serioze në të ardhmen. Po kaloni një fazë pasigurie dhe të ndërlikuar, pasi nëntori do të jetë periudhë krize ose një shkëputje profesionale. Nëse keni një punë të përhershme, nuk është e thënë ta lini, mjafton të mos bëni më shumë nga ç’duhet. Nëse ju kanë caktuar në një detyrë të re, jeni në mëdyshje nëse është ngritje në detyrë apo thjesht mashtrim, ndaj ruani qetësinë.

Gjithë ky presion në punë do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme edhe në dashuri. Polemikat mund të nisin në fundjavën e datës 13 dhe 15. Më mirë shmangni diskutimet dhe polemikat, sidomos nëse jeni të lidhur me një Shigjetar ose Akrep. Nëse është dikush që nuk i kupton nevojat tuaja, mund të lindë ndonjë konflikt. Lidhjet e reja janë të dyshimta. Ata që janë të lidhur prej kohësh kanë konflikte, por s’do të thotë që janë në krizë. Me pak durim mund të kapërcehen edhe ditët më të vështira dhe duhet të bëni pak kujdes nga datat 22-30. Fundi i muajit është pjesa më e vështirë. Këto ditë nuk do t’ju bëjë mirë thuajse asgjë. Nuk është periudhë negative, s’ka vështirësi që s’mund të kalohet, por jeni shumë të ngarkuar dhe e keni të vështirë të vendosni rend në jetën tuaj. Mos e teproni me lodhjen nga data 27-30.

VIRGJËRESHA: Tani jeni pjekur jo vetëm profesionalisht, por edhe si individ. Është muaj i mbarë për t’u marrë me çështje ekonomike. Kush do të shesë, duhet të përfitojë nga ky muaj, pasi ka humbur mjaft kohë. Kush është në moshën e duhur, ndoshta duhet të mendojë të ndryshojë stil jetese, të blejë një shtëpizë larg kaosit dhe të jetojnë të qetë. Çdo mund i derdhur këtë vit do të pasqyrohet edhe vitin tjetër. Favorizohen ata që duan të punojnë më vete. Mundohuni të mos e teproni, sepse edhe në situata të favorshme mund të gaboni. Kushtet do të përmirësohen në muajt në vazhdim.

Nëntori është muaj i rëndësishëm për ndjenjat, të cilat janë në mëdyshje që në shtator, pasi sharmi juaj është i padiskutueshëm. Për njohjet e reja, periudha më e mirë fillon nga data 10 deri më datë 21. Nëse keni përjetuar një krizë gjatë prillit dhe qershorit, tani mund ta kapërceni. Është periudhë e mbarë për ata që duan të hapin një aktivitet me partnerin ose partneren. 27 është data e duhur për të diskutuar të ardhmen tuaj, por në përgjithësi, nëntori mbetet muaj shumë intrigues. Nuk duhet t’u riktheheni dashurive të përfunduara. Meqë ka qenë vit arritjesh, sprovash për të kapërcyer, shumë gjërash për të përballuar njëherësh, sigurisht që edhe stresi është shtuar. Është periudhë e përkryer për të përmirësuar kurat, dietat, ose ndoshta edhe për një ndërhyrje të vogël estetike.

PESHORJA: Nuk kanë kaluar plotësisht momentet e lodhjes, të shqetësimeve, por keni perspektiva të tjera, ndryshime që do t’ju ndihmojnë, ide të reja. Për shembull, atyre që kanë ndryshuar punë pa dëshirë, tani u krijohen perspektiva të reja dhe bashkëpunime. Do të mund të realizoni projekte që i keni nisur që vjet. Mund të lini një post që vetëm ju ka shkaktuar probleme dhe të ndiheni të lumtur. Problemi i vërtetë dy vjetët e fundit kanë qenë përgjegjësitë e tepërta dhe tani mund të ndiheni të lirë të punoni më shumë, të jeni më mirë, mund t’ju vijnë edhe propozime të rëndësishme.

Ndjenjat janë në plan të parë për çiftet që duan të martohen ose që duan të bashkëjetojnë dhe që e kanë shtyrë për motive të ndryshme. Do ta keni më të lehtë të krijoni njohje të reja. Dashuritë e pasionuara janë gjithmonë të pranishme, por me një Dash ose me një Bricjap mund të lindin pasiguri dhe mund t’ju vënë me shpatulla pas muri. Data 21 nëntor është edhe më efikase për sa u takon ndjenjave. Gjithë lidhjet e krijuara gjatë tri javëve të para do të shkojnë goxha mirë. Edhe për ata që janë ndarë ka ardhur momenti për njohje të reja. Nëntori është një fazë rikuperimi fizik. Më në fund do t’ largoheni një faze lodhjeje dhe trazimi. Mund të zgjidhni një problem personal këtë muaj dhe rreth datës 12 mund të merrni edhe një tjetër konfirmim.

AKREPI: Nëntori ka disa planetë në favorin tuaj, por kjo do të ndihet sidomos pas datës 10. Mundohuni të mos i shtrini këmbët më shumë se jorgani kur bëhet fjalë për paratë. Nëse, për shembull, doni të hapni një aktivitet apo të realizoni një projekt, këshillohuni mirë. Favorizohen blerjet e reja. Do të zhvillohen për mirë bashkëpunimet e lindura që vjet. Mbetet për t’u parë nëse do të ndryshoni ambient profesional vitin tjetër. Keni nevojë për vazhdimësi dhe siguri. Ata që kanë dëshirë të bëjnë gjëra të reja, mund të fillojnë menjëherë nga puna. Data 21 sjell ndryshime duke ju bërë më mirëkuptues. Do të keni të reja në javën e fundit të muajit.

Mundohuni t’i harroni vështirësitë e shkuara, tani mund të përfshiheni në lidhje më serioze. Më datë 10 do ta ndieni zemrën t’ju rrahë më fort dhe më datë 21, Venusi do të favorizojë shenjën tuaj dhe do të shkaktojë emocione të veçanta. Ata që janë vetëm dhe kanë humbur shpresën për të zënë një boshllëk, do të vërtetojnë të kundërtën. Duhet ta shfrytëzoni këtë muaj për t’u qetësuar dhe për të fituar terren në dashuri. Lidhjet e reja lindin të mbushura me pasion dhe do ta keni më të lehtë të mposhtni mosbesimin e lindur. Të ndarët nuk kërkojnë një dashuri të përjetshme, por mund të krijojnë një shoqëri të përzemërt. Nëse lidhja juaj nuk ka asnjë gjasë të ecë, mund të ndaheni. Shëndeti fizik paraqitet i mirë këtë muaj. Mund të keni ndonjë bezdi të lehtë si pasojë e alergjisë, por për diagnozat është më mirë t’i drejtoheni mjekut. Fakti që ndiheni më të motivuar për të vepruar është shenjë force fizike. Shëndeti është i mirë, sidomos nga datat 21-30. Gjatë kësaj periudhe mund të tërhiqeni nga gjithçka me natyrë shpirtërore. Jeni eksplorues të së panjohurës.

SHIGJETARI: Nga data 21 do të ndihet pozitivizmi në shenjën tuaj, pasi nëntori konfirmon një rikuperim që do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen. Edhe bashkëpunimet profesionale që kanë qenë goxha të tensionuara gjatë dy muajve të fundit, do të lehtësohen ndjeshëm. Do të merrni një lajm të rëndësishëm, ndoshta një ngritje në detyrë, por sigurisht që kjo varet edhe nga ju dhe ambiciet tuaja. Kini parasysh që kur pranohen role me peshë të rëndësishme, rrezikoni të humbni lirinë tuaj. Një Shigjetar pa liri s’është i lumtur. Është muaj i rëndësishëm edhe për të përcaktuar rolin tuaj brenda një grupi me sukses.

Meqë nëntori nuk ka tensione, do t’ju sjellë lumturi. Një Dash, Peshore ose Luan mund t’ju japin emocione, ndaj nuk duhet kurrsesi t’ia mbyllni derën fatit, edhe pse gjatë pjesës së parë të vitit keni pasur probleme ose mosmarrëveshje. Ekziston mundësia e takimeve interesante dhe njohjeve të reja. Nëse së fundmi jeni ndarë, mos u shqetësoni, gozhda del me gozhdë. Nëse mundeni, largohuni nga rutina e zakonshme, organizoni një udhëtim në ditët e fundit të nëntorit, pasi mund të jetë ideali për formën fizike dhe optimizmin. Nëntori është muaj interesant për të rikuperuar atë që nuk e kishe në tetor. Nëse koha e mundëson, janë të rëndësishme aktivitetet në ajër të pastër. Mbi të gjitha, nuk e keni më atë lodhjen që së fundmi ka mbizotëruar jetën tuaj. Duke qenë njeri që nuk kurseheni kurrë, kjo mund t’ju shkaktojë probleme. Është e vërtetë që keni shumë energji, por bëni kujdes me stërmundimin.

BRICJAPI: Në nëntor ju shtohet serioziteti dhe pozitivizmi në punë. Do të shijoni frytet e punës suaj nëse keni hapur një aktivitet që në vitin 2019. Për të rinjtë që sapo kanë përfunduar studimet mund të paraqitet një mundësi e mirë profesionale. Nëntori është pozitiv dhe me energji, i rëndësishëm për financat, sepse nga data 10 do të merrni të ardhura shtesë ose një shpërblim. Rezultate pozitive për çështje që të prekin pak a shumë drejtpërdrejt. Është muaji i ndryshimeve, ndaj nuk keni pse të shqetësoheni shumë. Si përfundim, edhe ata që nuk duan të bëjnë si do ti, në fund dorëzohen.

Në planin personal, nëntori është interesant. Historitë që janë krijuar rishtazi janë të mbrojtura. Vetëm në tri javët e para duhet t’i kushtoni më shumë rëndësi punës. Nëse ka ndonjë ish që nuk ju ndahet, ndoshta duhet të jeni më të qartë. Ndikimi pozitiv i Venusit do të rikthehet në shenjën tuaj më datë 21. Një deklaratë dashurie do t’i ngrohë ditët e fundit të nëntorit. Ndikimi i gjatë i Marsit në shenjën tuaj shton nivelin e stresit, ndoshta sepse ju duhet të bëni shumë gjëra njëkohësisht. Keni shumë prova për të kapërcyer. Madje, ka nga ata që nuk gjejnë dot një çast qetësi. Duhet t’i kushtoni më shumë kohë vetes, ndaj mos e teproni nga data 25, kur shqetësimet do të jenë të mëdha.

UJORI: Do të jetë muaj i ndryshimeve profesionale për ata që prej kohësh nuk ndihen mirë në një vend pune. Është një periudhë rivlerësimi e burimeve tuaja. Artizanët, ose ata që prej vitesh merren me të njëjtën punë, sigurisht që s’mund ta ndryshojnë atë menjëherë, por mund të fillojnë të mendojnë për projekte të reja. Është një muaj gjatë të cilit mund të diskutoni me ortakë dhe bashkëpunëtorë. Duhet të bëni kujdes me financat dhe duhet të gjeni një mënyrë për të kursyer sadopak. Disa pengesa do të kapërcehen me lehtësi. Do të keni edhe prova për të kaluar me guxim.

Historitë e vjetra të dashurisë ecin dhe kush është vetëm mundohet, por me kujdes, pasi ka ardhur momenti i zgjedhjeve të rëndësishme, që mbase mund të jenë edhe të përjetshme. Ata që kanë fatin të kenë partnerin ose partneren e duhur në krah mendojnë për një shtëpi të re, për një fëmijë, pasi në këtë drejtim kanë nisur ndryshimet që në verë. Nëse keni gjëra për të sqaruar, bëjeni brenda datës 31. Megjithatë, xhelozia mbetet thikë me dy presa. Ndonëse Ujori është shenjë e lirë, që parapëlqen edhe ta lërë të lirë njeriun që do, kohët e fundit po shfaqni një dëshirë kontrolli që mund të vrasë besimin në çift. 10 ditët e fundit të muajit do të jenë me mëri në çift. Data 27 dhe 28 do të jenë për sqarime në çift. Në një klimë kaq të tensionuar, është normale të keni nevojë për një pushim ose qetësi. Ndikimi i Mërkurit duhet t’ju bëjë vigjilentë gjatë të gjitha fundjavave të nëntorit, pasi pikërisht në fundjavë do të takoheni me persona paksa të padurueshëm. Mbajini nervat në kontroll. Problemet shëndetësore shkaktohen pikërisht nga puna dhe çështje të pazgjidhura ekonomike. Gjatë katër ditëve të fundit të muajit duhet të bëni kujdes.

PESHQIT: Problemet e punës mund të kapërcehen, sepse ka një rritje pozitive për ata që kanë një punë në kontakt me njerëz. Ditët pas datës 10 duken më interesante për të diskutuar detaje që lidhen me aktivitete të reja ose ortakëri dhe marrëveshje të reja. Favorizohen ata që punojnë më vete, por edhe ata që janë vartës mund të marrin një përgjigje pozitive në mes të muajit. Data 18 do të jetë ditë interesante. Nuk do të pasurohen të gjithë, por shumë nga ju do të kapërcejnë ndonjë problem. Ata që munden do të heqin dorë nga projektet e kota, do të bëjnë më pak, por më mirë. Nëse në të shkuarën mendoni se nuk jeni vlerësuar sa duhet në një kompani, ka ardhur koha që të tregoni sa vleni. Datat 23 dhe 24 janë ditë të favorshme dhe janë ideale për të bërë propozime konkrete.

Dashuritë që lindin në nëntor dhe dhjetor janë me fat, sidomos pas datës 21. Sprovat në dashuri nuk kanë të sosur, por tani jeni ju ata që gjykoni të tjerët. Nuk keni më dëshirë të humbni kohë. Yjet nuk mund ta ndryshojnë karakterin e atyre që na qëndrojnë pranë, por mund të na japin mundësinë të kuptojmë në bazë të përvojave të shkuara se cila është rruga e duhur në dashuri. Në fund të muajit, nga datat 23-30 pritet të keni më shumë emocione. Muaj i rëndësishëm për të ndërmarrë një sërë iniciativash për shëndetin. 10 ditët e fundit të muajit janë më të dobishme, programoni mirë atë që keni në mendje. E dini që ankthi është një nga armiqtë tuaj, të cilin duhet ta shmangni. Megjithatë, në shumicën e rasteve do të keni probleme shumë kalimtare. Favorizohen kurat, edhe ato estetike, që fillojnë pas datës 21. Kujdesuni pak për lëkurën, që e keni delikate dhe ju acarohet shpejt. Nuk duhet të anashkaloni vaktet në këtë periudhë. Mundohuni që me ndihmën e një eksperti të përfshini në dietën tuaj vitaminat përkatëse.


Like it? Share with your friends!