Mungesa e ndriçimit në zonën e ish-Kënetës në Durrës, banorët më të vendosur se kurrë për zgjidhjen e problemit


Problemet që lidhen me infrastrukturën në lagjen me numër  15, e njohur ndryshe si zona e Ish Kënetës në Durrës, nuk kanë fund. Një prej tyre është edhe ndriçimi. Të ecësh në mbrëmje në rrugët e ish-kënetës është e vështirë, pasi ndriçimi mungon.  Rrugët “Hil Kanaçi”, “Mihal Rama”, “Delvina”, “Ohri” “Rruga e Arbërit” , “Dafinat”, “Lyberi”,  etj zhyten në errësirë, çdo mbrëmje.

Banorët nuk kanë siguri për jetën dhe pronën, ndërkohë që ndihen të zhgënjyer që pas shumë vitesh të vendosur në zonë, asgjë nuk është bërë.  Një projekt i Agjëncisë Zvicerianë për Zhvillim dhe Bashkëpunim, mbështetur nga Lëviz Albania që po zbatohet së fundmi ka ngjallur shpresën e banorëve.  Dy takime me banorët e zonës me prezencën e një eksperti të pushtit vendor janë zhvilluar gjatë fundjavës, ndërkohë që projekti ka qëllim aktivizimin e banorëve, për të advokuar pranë bashkisë për ndriçimin e zonës.

“Jemi bashkuar në dy takimeve ne banorët e ish Kënetës, për tu sensibilizuar, për të ngritur zërin pranë Bashkisë Durrës për problemin e ndriçimit, ndërkohë që synojmë  realizimin e një peticioni me firma, sepse vetëm në këtë mënyrë mendojmë se do të dëgjohemi”, shprehet një prej banorëve, pjesë e grupit të punës në këtë projekt.

Ndërsa, për eksperten e pushtetit vendor që ishte e përzgjedhur falë projektit për ti njohur banorët me të drejtat e tyre dhe të drejtën e informimit, ky është një moment mjaft i rëndësishëm për ta, të cilët për herë të parë u bënë bashkë për një të drejtë.

“Qytetarët pjesëmarrës u njohën me parashikimet ligjore për të drejtën për informim sipas ligjit nr.119/2014 dhe kuadrit ligjor në terësi, duke dhënë më së shumti informacion praktik dhe të përditësuar se ku duhet të drejtohen konkretisht, cilat janë strukturat përgjegjëse pranë Bashkisë së Durrës lidhur me problematikën e tyre. Banorët shfaqën shumë interes lidhur me informacionin e dhënë për strukturat përgjegjëse dhe për mundësinë për të lobuar dhe pranë Këshillit Bashkiak, duke improvizuar edhe shkurtimisht skemën e mjeteve dhe veprimeve që mund të kryhen sipas edhe afateve të parashikuara në ligj”, u shpreh ekspertja për pushtetin vendor: Dr. Av. Arsiola Dyrmishi.


Like it? Share with your friends!