Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, kushton 104 mln euro; Punimet fillojnë brenda 14 muajsh


Është nënshkruar sot kontrata me konscorciumin fitues për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, fitues për të cilin janë shpallur tre kompani: Mabetex Group, YDA Group she A2 SHPK.

Punimet do të nisin brenda 14 muajsh dhe vlera e ndërtimit të tij shkon 104 milionë euro, deklaroi ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

“Me ngritjen e Aeroportit të Vlorës do të hapet mundësia për investime shumë të mëdha në sektorin turistik. Punimet do të nis brenda 14 muaj, do të ketë një fazë përgatitore për sa i përket studimit mjedisor, ku është një aeroport që do të ngrihet sipas kritereve evropiane, do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për  përmbushjen e kushteve paraprake dhe dorëzimit të masterplanit dhe 6 muaj për marrjen e lejeve të ndërtimit.

Këto janë afatet maksimale të ligjit dhe do mundohemi t’i mbyllim sa më shpejtë. Në fazën e parë, përfshin ndërtimin e terminalit dhe nisin operimet dhe faza e dytë konsiston në zgjerimin e terminalit të pasagjerëve do të fillojë pas vitit të 4 të operimeve. Jo vetëm do të ketë injektimin direkt të 104 milionë eurove në ekonomi por edhe në zhvillime në fusha të tjera”, tha Balluku.

Aeroporti i Vlorës do të mundësojë fluturimet transoqeanike ku pista do të jetë mbi 3 kilometra si dhe do të ngrihet Akademia e Aviacionit Civil në Vlorë, deklaroi kryeministri Edi Rama.

“Pista e Vlorës janë të tilla që fluturimet New York Shqipëri të jenë të realizueshme dhe fluturimet transoqeanike. Nuk do të jenë vetëm këto 4 portat nga qielli, por dhe 4 portat e tjera nga deti, ai i Durrësit, Sarandës, ai i Vlorës dhe ai i Shëngjinit. Është aeroport që do të ofrojë fluturime transoqeanike. Përpos pengesave që ne kemi hasur ne nuk e kemi ndalur punën. Kemi edhe dy sektorë të tjerë mirëmbajtja e avionëve dhe kargo që nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Mirëmbajtja e avionëve do të sjellë të ardhura për vendin porsa i përket punësimit. Si rrjedhojë ngritja e akademisë për aviacionin civil, për mirëmbajtjen e avionëve është hapi i radhës. Kargo është një nga fushat ekonomike më të zhvilluara në botë ndërsa në Shqipëri nuk përdoret. Pista do të jetë mbi 3 kilometra dhe do të sjellë një rritje të jashtëzakonshme ekonomike”, tha Rama.


Like it? Share with your friends!