Nisja e aktivitetit të TAP, etapë e re për ofertën energjetike


Nisja e operacioneve tregtare të gazsjellësit Trans-Adriatik për të transmetuar gaz nga fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan drejt Europës është një faqe e re për ofertën energjetike në këtë rajon.

Përfitimet shihen ngushtë edhe me vendet që prek gazsjellësi si Greqia, Italia dhe Shqipëria. Malfor Nuri, Menaxher i TAP për Shqipërinë, në një intervistë për “Monitor”, jep edhe përfitimet që mund të ketë vendi ynë në këtë fazë të re kur ka përfunduar investimi dhe ka nisur shfrytëzimi.

 

Si kanë ecur operacionet tregtare të TAP për transmetimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës? 

Jemi krenarë që kemi përfunduar Gazsjellësin Trans-Adriatik në mënyrë të sigurt dhe brenda afateve, duke sjellë një tubacion që transporton gaz natyror nga një burim i ri në Europë.

Në 15 nëntor 2020, katër vite e gjysmë pas përurimit të nisjes së ndërtimit, TAP filloi operimin tregtar. Më pas, në fund të dhjetorit 2020, TAP nisi transportin e gazit natyror nga Azerbajxhani në Europë, një moment historik për projektin tonë, për vendet pritëse, si dhe perspektivën e sektorit energjetik në Europë.

 

Sa gaz është transmetuar deri tani në tregun europian dhe si e ka ndikuar kjo sasi situatën energjetike në këtë pjesë?

Si seksioni europian i Korridorit Jugor të Gazit, TAP ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metra kub në vit (bcm/a) në disa tregje në Europë.

Në mes të marsit 2021, njoftuam se një total prej 1 miliard metër kub (bcm) gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë në Europë nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, Greqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans-Anatolian (TANAP).

Përfundimi i suksesshëm i TAP dhe hapja e Korridorit Jugor të Gazit në Europë janë lëvizje historike drejt sigurisë energjetike dhe drejt diversifikimit të ofertës. Për më tepër, gazi natyror i transportuar nga Gazsjellësi TAP rrit likuiditetin, e për rrjedhojë nxit konkurrencën.

Gjithashtu, TAP mbështet integrimin e tregut në Europën Juglindore nëpërmjet pikave të interkonjeksionit, parësore për infrastrukturën energjetike, si Interkonjektorët drejt Greqisë, Bullgarisë dhe në të ardhmen, Gazsjellësi Jonian Adriatik.

Vlen për të theksuar fakti se Gazsjellësi TAP do të kontribuojë në objektivin e dekarbonizimit. TAP bën të mundur furnizimin me një burim energjie më të pastër, në një rajon, me varësi të lartë nga hidrokarburet e rënda fosile, pra mundëson tranzicionin në rrugën e nisur të kalimit tek një e ardhme pa karbon.

 

A është përfshirë Albgaz në mirëmbajtjen e rrjetit, sikurse është deklaruar dhe si ka ecur kjo punë periodike? A disponohen të gjithë kapacitetet njerëzore që mundësojnë këtë mirëmbajtje?

Nuk do ta cilësonim bashkëpunimin tonë periodik. Albgaz, Operatori shqiptar i Sistemit të Transmetimit të gazit, është themeluar menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së ndryshuar me qeverinë pritëse, nënshkruar midis Qeverisë së Shqipërisë dhe TAP.

Albgaz është përfshirë në procesin e mirëmbajtjes nëpërmjet AGSCO, një “joint-venture” midis Albgaz dhe kompanisë italiane Snam Rete Gas, sipas marrëveshjes së firmosur në dhjetor 2019. Ekipet e inxhinierëve të mirëmbajtjes së TAP dhe AGSCO kanë kryer një program trajnimi të plotë dhe shumë profesional.

Si një korporatë me përgjegjshmëri të lartë, TAP është angazhuar të investojë në burime njerëzore dhe në rritjen e kapaciteteve. Ne promovojmë zhvillimin profesional të njerëzve tanë dhe vazhdojmë të ndajmë njohuritë, dijen dhe përvojën me rrjetin tonë të bashkëpunëtorëve, duke promovuar njëkohësisht standardet më të larta të industrisë.

 

Përveç krijimit të “know – how” në një fushë që Shqipëria nuk e njihte më parë, cilat janë përfitimet e tjera që shihni se mund të merren nga Shqipëria në këtë fazë të re të aktivitetit tregtar? 

Përfitimet e Shqipërisë nga TAP janë të shumëfishta. TAP e pozicionon Shqipërinë në hartën energjetike të Europës dhe rrit rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit, duke kontribuar në integrimin tregtar dhe fizik në Europë.

Prania e TAP në Shqipëri nxiti zhvillimin social-ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, kryesisht gjatë fazës së punimeve të ndërtimit të projektit, ndau “know-how” si i pari projekt në llojin e vet në Shqipëri. Ne gjithashtu rehabilituam 220 km rrugë dhe përforcuam ura, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rrugë.

Fillimi i operimit tregtar të TAP është një arritje historike për ofertën energjetike të Europës dhe të Shqipërisë. TAP kontribuon në zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend dhe tregut të brendshëm të energjetikës.

TAP është i rëndësishëm jo vetëm për ofertën energjetike të Europës dhe të vendeve pritëse, por për komunitetet lokale gjithashtu. Kemi ndërtuar 12 shkolla dhe kopshte, kemi hapur tregje fruta – perimesh, kemi dhuruar gjysmë milion euro në mbështetje të autoriteteve të shëndetësisë në Shqipëri, për të luftuar pandeminë COVID-19. Programi ynë i investimeve sociale dhe mjedisore, në prag të përfundimit në Shqipëri, ka ndikuar në rritjen e cilësisë së jetesës së mijëra njerëzve.

 

A pati ndikim në projekt pandemia e 2019-s dhe a po ndikon tani, qoftë në aspektin e përmbylljes së fazës finale për nisjen e aktivitetit tregtar, apo sa i takon kërkesës për gaz në tregje? 

Në fakt, të gjithë sektorët e biznesit janë ndikuar negativisht nga pandemia e COVID-19, përfshirë industrinë e energjetikës. Pavarësisht situatës së paprecedentë dhe me mbështetjen e autoriteteve vendase, kemi realizuar të gjithë objektivat e projektit.

Në TAP, shëndeti dhe siguria e punonjësve, kontraktorëve dhe partnerëve mbetet prioriteti më i lartë. Ne vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet në lidhje me pandeminë e COVID-19, duke ndjekur në mënyrë rigoroze instruksionet e përditësuara të autoriteteve të shëndetit publik. TAP ka implementuar një sërë masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, duke filluar nga implementimi i smart working për pjesën më të madhe të stafit, deri te rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit në lidhje me sjelljet e duhura për të kufizuar përhapjen e virusit.

Aktivitetet në terren janë në përputhje të plotë me masat higjieno-sanitare të parashikuara. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë ngushtë ecurinë e COVID-19, duke ndjekur instruksionet e autoriteteve të shëndetit publik në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, gjithmonë duke trajtuar me përparësi të lartë sigurinë e shëndetit të punonjësve tanë.

Siguria është në zemër të çdo gjëje që bëjmë, nga politikat te praktikat dhe ne jemi krenarë për punën e shkëlqyer në këtë drejtim.

Ekipet tona kanë përshkuar mbi 140 milionë kilometra dhe kanë punuar më shumë se 52 milionë orë pune, pa pasur asnjë incident serioz. Kjo është performancë absolute dhe ne do të përpiqemi ta mbajmë gjatë gjithë operacioneve të tubacionit.

Monitor/


Like it? Share with your friends!

Choose A Format
Personality quiz
Series of questions that intends to reveal something about the personality
Trivia quiz
Series of questions with right and wrong answers that intends to check knowledge
Poll
Voting to make decisions or determine opinions
Story
Formatted Text with Embeds and Visuals
List
The Classic Internet Listicles
Countdown
The Classic Internet Countdowns
Open List
Submit your own item and vote up for the best submission
Ranked List
Upvote or downvote to decide the best list item
Meme
Upload your own images to make custom memes
Video
Youtube and Vimeo Embeds
Audio
Soundcloud or Mixcloud Embeds
Image
Photo or GIF
Gif
GIF format