Pse nuk u hapën negociatat me BE? Sqaron NATO


Në një analizë të fundit mbi zhvillimet ekonomike dhe politike në Rajonin e Ballkanit, “Tranzicioni Ekonomik në ballkanin Perëndimor-Një Vlerësim”, Asambleja Parlamentare e NATO-s dha disa arsye referuar burimeve të veta se pse Ballkani nuk po integrohet shpejt në Bashkimin Europian.

Aleanca Ushtarake më e fuqishme e botës është shprehur se Komisioni Europian i ka komunikuar Tiranës zyrtare në fund të vitit të kaluar se data e negociatave nuk do të hapej pa plotësuar dy kushte.

Kushti i parë ishte që qeveria shqiptare duhet të rihapte dialogun politik me opozitën parlamentare.

Kushti i dytë është që Shqipëria duhet të realizojë reforma cilësore në fushat e administratës publike, sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave themelore.

Duke shpjeguar klimën shqiptare për integrimin në BE, NATO referon se opozita shqiptare kishte kërcënuar se do bojkotonte zgjedhjet e qershorit 2017, ndërkohë që kishte bojkotuar Parlamentin përkundër apelimeve të BE ndaj opozitës për t’u kthyer në kuvend për të miratuar reformën në drejtësi. Reforma përfshin verifikimin e 750 gjyqtarëve, për të cilët NATO ka marrë si burim Federica Mogherini, përfaqësuese e BE për politiken e jashtme.

Por që kur këto kushte u vunë nga BE, NATO thotë se Shqipëria ka bërë përparime. Në fund të qershorit kryeministri Edi Rama dhe Lulëzim Basha, lider i opozitës kryesore arritën një marrëveshje për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme që u organizuan dhe mbikëqyren nga një qeveri kujdestare.

Opozita u kthye në parlament për të votuar vetingun. Kryeministri Rama nga ana tjetër pranoi të zëvendësojë Zëvendëskryeministrin Niko Peleshi dhe gjashtë ministra nga e tij me përfaqësues të emëruar nga opozita.

Por verifikimi i gjyqtarëve ka qenë prioriteti kryesor për Komisionin Evropian pasi e sheh këtë reformë se  thelbësore për procesin e shumë të nevojshëm të reformës gjyqësore në vend.

Raporti i NATO-s për rajonin arrin në konkluzion se çështjet e korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor mbeten një shqetësim serioz dhe vazhdojnë të përbëjnë një problem të frikshëm që duhet të kapërcehet në rrugën drejt pranimit në BE.

Aleanca sugjeron se sistemet politike të rajonit duhet të bëhen më transparente dhe të përgjegjshme, por media ka një rol potencialisht të rëndësishëm për të luajtur.

“Por kur media kontrollohet nga grupime politikë dhe ato ekonomike, fuqia potenciale që ajo duhet të ketë është reduktuar ndjeshëm. Kjo është edhe një tjetër arsye se pse reforma në media është thelbësore”, shprehet NATO në raportin e saj për zhvillimet politikë dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

NATO thotë se ka shqetësime që gjyqtarët shumë shpesh përforcojnë kapjen e shtetit dhe nuk janë garantues të administrimit të drejtësisë dhe zbatimit të kontratave etj. Kjo është shqetësuese jo vetëm për demokracinë, por edhe për investitorët potencialë, të cilat kanë nevojë për besim në sistemet gjyqësore për të menaxhuar rrezikun. /Monitor


Like it? Share with your friends!