Rindërtimi, bashkia e Durrësit hap garën për rikonstruksionin e 7 pallateve shumëkatëshe me fond 824 mln lekë


Në kuadër të procesit të rindërtimit Bashkia e Durrësit ka hapur garën për rikonstruksionin e 7 pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Fondi që do të përdoret për riforcimin e objekteve është me vlerë rreth 824 milionë lekë.

Objektet e banimit që do të riparohen janë pallate 10,11, 12 dhe 13 katësh dhe secili nga një kat të nëndheshëm. Afati për dorëzimin e ofertave është 22 prilli 2021.

Punimet për rikonstruksionin e këtyre objekteve të klasifikuara si të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë, por që nuk duhet të rindërtohen nga e para do të kryhen në 5 lote. Punimet për secilin lot parashikohet të zgjasin 6 muaj.

Në dokumentet e prokurimit të publikuara në faqen e Ministrisë të Rindërtimit, përcaktohet se një operator ekonomik ka të drejtë të aplikojë për një lot, disa lote ose për të gjitha lotet. Për çdo lot paraqitet një ofertë e veçantë. Për operatorët ekonomikë që do të ofertojnë për më tepër se një lot në rastet kur kërkohet, duhet të kenë kapacitetet financiare dhe teknike sa shuma e loteve, për të cilat kanë ofertuar, të marra së bashku. Në dokumentacionin e kërkuar kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë edhe një kopje të certifikatës elektronike për fiskalizimin, që përdorin Platformën Qendrore të Faturave. Për rastet përdorimit të zgjidhjes software, duket të paraqesin kontratën me një nga kompanitë e certifikuara që ofron shërbimin.

Pas ngjarjes të tërmetit të 26 nëntorit 2019, në vend në total u shembën 115 pallate, ku numri më i lartë rezulton në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar janë 242 pallate.

Numri më i lartë i shembjeve është te shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Sipas të dhënave të  Ministrisë së Rindërtimit numri i tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak u shembën 99 shtëpi individuale dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale.

Rreth 15 miliardë lekë është totali i granteve për rikonstruksion të miratuara nga 11 bashkitë në të gjithë vendin. Nga grantet e rikonstruksionit përfituan 32,631 familje në qytetet si: Tiranë, Durrës, Shijak, Kavajë, Krujë, Vorë , Kurbin, Lezhë, Kamëz, Rrogozhinë dhe Mirditë. Për shtëpitë individuale dhe apartamentet e me dëme të klasifikuara të shkallës DS4 dhe DS5 janë 1,081 përfitues me vlerë fondi 2,84 miliardë lekë. Për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta për 1,166 pallate do të shpërndahet granti me vlerë 2,9 miliardë lekë.

 

Pallatet që do të riparohen dhe fondi limit sipas loteve:

-Lot I- 204,438,060 lekë për riforcimin e pallatit 12 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë në rrugën “Neki Libohova” nr.70 kod GIS 5061, 5063

-Lot 2- 89,574,400 lekë për riforcimin e pallatit 10-11 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, në rrugën “Neki Libohova” nr.15, Rruga “Abaz Celkupa” nr.26,  kod GIS  24907, 24923

-Lot 3- 247,212,772 lekë për riforcimin e pallatit 12-13 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, rruga “Jahja Ballhysa”  nr.6, kod GIS  3092”

-Lot 4- 222,570,664 lekë për riforcimin e pallatit 12 kate mbi tokë dhe një kat nentokë, rruga “Abdyl Ypi”  nr.3, kod GIS 46”.

-Lot 5-  59,968,150 lekë për riforcimin e pallatit rruga “Varoshi”  nr.43, rruga “Kristo Sotiri” nr.55, rruga “Horizonti” nr.7,   kod GIS  26082, 19070, 19056.

 

Monitor/


Like it? Share with your friends!