Rreth 90 gjyqtarë rrezikojnë largimin nga kontrolli i vendimeve të mëhershme prej vettingut


Procesi i Vettingu-t  shumë shpejt pritet të japë rezultatet primare. Puna do të nisë me Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, e më pas do të vijohet me të gjitha gjykatat e prokuroritë në vend. Një rol të rëndësishëm në procesin e vettingut do të ketë kontrolli i aftësive profesionale. Kësisoj, rivlerësimi profesional mund të sjellë largimin e qindra emrave, pasi do të hapen vendimet gjyqësore. Për secilin emër do zgjidhen 3-5 çështje gjyqësore që ata kanë shqyrtuar dhe më pas do të shihet nëse është marrë vendim i drejtë apo jo.

Bashkë me vendimin, sipas gazetës “Sot”, Komisioni i Kualifikimit do të kërkojë të dhëna dhe nga KLD mbi masat disiplinore apo vendime për gjyqtarë të caktuar. Një rëndësi do i kushtohet dhe procesit të vlerësimit që ka kryer KLD. Ky institucion në faqen zyrtare ka publikuar listën e renditjes së gjyqtarëve në bazë të vlerësimeve që u janë dhënë dhe bie në sy se shumë emra kanë një nivel të ulët pikësh. Në krye të listës qëndron gjyqtarja Metushe Saraçi, e cila është pjesë e Gjykatës së Apelit Tiranë. Ajo ka 186 pikë, pasi gjatë verifikimeve që i është bërë punës së saj, ka rezultuar pa shkelje. Por janë 91 gjyqtarë që kanë një vlerësim minimal, pasi kanë nga 51 pikë dhe poshtë. Ka shumë nga ata me 3-4 pikë, ndonëse kuota maksimale është 186 pikë. Kjo për faktin se nga inspektimet që janë bërë, rezulton se keta emra nuk kanë qenë shumë korrektë në detyrë, duke zvarritur çështje apo duke bërë shkelje të ndryshme.

Kjo listë që ka hartuar KLD do i kalojë Komisionit të Kualifikimit, pasi dhe aty ai do të shohë se çfarë vlerësimesh ka dhënë deri më tani KLD për katër gjyqtarë.

Të gjithë njerëzit e sistemit të drejtësisë do i nënshtrohen një kontrolli rigoroz, nga kontrolli i llogarive bankare, te të ardhurat e çdo familjari e deri te pasuritë e paluajtshme. Në lëvizje është vënë edhe drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila do zhvillojë kontrolle brenda dhe jashtë vendit për çdo transfertë bankare të bërë nga njerëzit e drejtësisë. Por paralelisht me ILDKP, verifikime po kryhen dhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sa i takon pastërtisë së figurës. Për të gjithë do kontrollohet nëse kanë pasur apo jo lidhje me njerëz me rekorde kriminale. Ndërkohë në fund do ketë verifikime nëse gjyqtarët dhe prokurorët e kanë kryer si duhet punën dhe kanë formim të mjaftueshëm, duke kontrolluar vendimet dhe procesverbalet. Në fund, secili institucion do i dërgojë Komisionit të Kualifikimit një raport për secilin emër.

Nëse dikush ka më shumë pasuri se shuma e të gjithë të ardhurve familjare, atëherë gjyqtari apo prokurori largohet.


Like it? Share with your friends!