Shitblerja e votës, si “Stimuli fiskal” elektoral


Nga Dorela Beqaj*

Fenomeni i njohur si “shitblerja e votës”, ka qenë prezent prej shumë vitesh në vendin tonë në çdo fushatë zgjedhore, dhe nga të dhënat indirekte duket se edhe këto zgjedhje nuk bëjnë përjashtim.

Është pothuajse e pamundur që të bëhet një matje e saktë e parave të shpenzuara nga palët politike për këtë qëllim, si dhe për të targetuar saktësisht individët apo familjet përftuese të këtyre pagesave në këmbim të votës, duke qenë se kjo mund të identifikohet vetëm me hetime rast pas rasti nga organet kompetente të drejtësisë. Megjithatë, ndryshime në disa tregues ekonomikë si: punësimi në administratë dhe kursi i këmbimit dëshmojnë faktin se ky fenomen po vazhdon të jetë i pranishëm edhe në këto zgjedhje.

 

Punësimet shtesë në administratë

Treguesi i parë që lidhet me këtë fenomen, është rritja e menjëhershme dhe e konsiderueshme e punësimit në administratë krahasimisht me periudha të mëparshme kohore. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2020 janë punësuar 10000 persona më shumë në këtë sektor në krahasim me të njëjtin tremujor të 2019, ose 8000 persona më shumë në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2020 (Monitor, 2021).

Një rritje e punësimit, qoftë edhe në sektorin publik, mund të konsiderohet e kënaqshme nga përfituesit direktë të vendeve të punës, por në realitet, në kushtet kur një shtim i menjëhershëm i këtyre vendeve të punës që nuk vjen si plotësim i nevojave reale të institucioneve me punonjës, përbën një kosto shtesë dhe të panevojshme për buxhetin e shtetit. Kjo për faktin se krijimi i këtyre vendeve të punës nuk reflekton nevojat reale të tregut, dhe këto vende të reja pune nuk mund të kenë të njëjtin ndikim pozitiv si në rastin e krijimit të vendeve të punës nga aktiviteti i përmirësuar i sektorit privat, apo investimet e reja. Për më tepër, në kushtet e krizës ekonomike të krijuar nga pandemia, është e nevojshme që punësimi të stimulohet duke ndihmuar financiarisht sektorët më të goditur nga pandemia, të cilët janë potencial real për të gjeneruar rimëkëmbjen dhe rritje ekonomike.

 

Ndryshimet në kursin e këmbimit

Treguesi i dytë është ai i zhvlerësimit të monedhës vendase kundrejt Euros. Një dukuri e tillë zakonisht ndodh në dy momente të vitit: në sezonin turistik veror, ku për shkak të vizitave të emigrantëve apo kalimit të pushimeve në vend, rritet sasia e valutës në vend duke sjellë zhvlerësimim e saj në raport me monedhën vendase, si dhe gjatë festave të fundvitit që shoqërohen me vizita të emigrantëve apo një shtim të remitancave prej tyre. Periudha aktuale nuk korrespondon me asnjë nga këto dy sezone, dhe një zhvlerësim i Euros është jo i zakonshëm për këtë periudhë. Në grafikun e mëposhtëm tregohet ecuria e kursit të këmbimit nga data 1 Mars deri në datën 13 Prill.

Sikurse vërehet nga të dhënat ditore të kursit të këmbimit, monedha Euro ka pësuar rënie të vazhdueshme përgjatë muajit Mars dhe gjysmës së parë të muajit Prill. Vlera maksimale e Euro kundrejt Lek ka qenë në datën 1 Mars ku 1 Euro këmbehej me 123,63 lekë, ndërsa vlera minimale në datat 9 dhe 12 Prill ku 1 Euro këmbehej me 122,99 lekë. Fakti që në një periudhë të vitit të pandikuar nga ardhja e turistëve nga eurozona, apo rritja e remitancave, nënkupton se për shkak të fushatës elektorale në vend është rritur sasia parave në Euro në qarkullim, burimi i të cilave mund të jenë aktivitete të padeklaruara jashtë vendit.

Të dy këta tregues në njëfarë mënyre dëshmojnë se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje vazhdojnë që krahas promocioneve të shumta për alternativën që ato ofrojnë, të tentojnë të joshin votuesit potencialë me mënyra të ndryshme duke filluar nga punësimi në administratë, e deri te dhënia e parave cash apo ndihmave/favoreve të ndryshme në këmbim të votës.

 

Problematikat e institucioneve politike dhe ekonomike

Ekzistenca e kësaj dukurie dëshmon institucionet ende të dobëta të vendit tonë, gjë e cila ka ndikim direkt në ekonomi. Ky është tashmë një fenomen i njohur në vendet në zhvillim. Studiuesit Acemoglu dhe Robinson, japin një përkufizim të tillë për institucionet: “Institucionet ekonomike formësojnë incentivat ekonomike, incentivat për t’u arsimuar, për të kursyer e për të investuar dhe për të adaptuar teknologji të reja e inovacion, e kështu me radhë. Institucionet politike përcaktojnë aftësinë e qytetarëve për të kontrolluar politikanët”.

Në këtë kontekst, ata argumentojnë edhe lidhur me faktin se institucionet e këqija kanë tendencën që të përjetësojnë vazhdimësinë e institucioneve të këqija, duke krijuar një rreth vicioz, që njihet edhe si “rregulli i hekurt i oligarkisë”. Sipas kësaj, ata të cilët kanë pushtetin e institucioneve kryesore politike, sigurohen që institucionet ekonomike të funksionojnë në mënyrë të tillë që t’i pasurojnë ata, dhe sapo ata pasurohen, kanë mundësinë që të përdorin pasurinë e tyre për të ndalojnë çdo përpjekje apo tentativë për t’u hequr atyre pushtetin (Acemoglu & Robinson, 2005).

Prezenca e dukurive të sipërpërmendura edhe në realitetin shqiptar, është dëshmi e qartë e problematikave ekonomike, sociale dhe politike, të cilat e kanë zanafillën në dobësinë e institucioneve politike dhe ekonomike. Nëse këto problematika do të ishin tejkaluar, atëherë të gjitha burimet financiare të vendosura në funksion të fushatës, qoftë nga buxheti i shtetit (për punësime në administratë), dhe qoftë nga burime të tjera private, do të kanalizoheshin në ata sektorë të ekonomisë të cilat realisht janë në vështirësi, duke bërë të mundur një stimul real fiskal në ndihmë të ekonomisë, dhe jo një “stimul elektoral”.

Ky i fundit është një stimul financiar i përkohshëm, i targetuar në një pjesë të caktuar të shoqërisë, i cili nuk gjeneron rritje reale ekonomike, por përdoret vetëm në interes të palëve të caktuara politike, duke vazhduar kështu “rrethin vicioz” të keqfunksionimit të institucioneve.

*Studiuese e pavarur. Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës

Monitor/


Like it? Share with your friends!