Veliaj: Këtë vit buxhetojmë transformimin e Piramidës.


Këtë viti do të nisë buxhetimi për transforimin e Piramidës në Tiranë. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj tha se ideja e të rinjve për transformimin e Piramidës në një qendër multifunksionale kryesisht në shërbim të të rinjve është përqafuar nga bashkia.

Veliaj: Prona më e shtrenjtë e Tiranës është si një karkasë e vdekur në mes të bulevardit, që është Piramida. Kështu që aty na lindi ideja: A mund ta rikonstruktojmë Piramidën? Pra ta bejme me teatër, filma, me bibliotekë, me kurse digjitale, pra të kodimit, apo të programimit, që dikush mund t’i ndjekë pa qenë detyrimisht profesionist në atë fushë. Kjo është iniciativa që morëm këtë vit dhe do e buxhetojmë që ta transformojmë”

Një nga idetë e dhëna nga vullnetarët është krijimi i pikave orientuese në Tiranë.

Veliaj: “Një nga idetë që na u dha vjet e që do ta fillojmë javën tjetër, është që studentët që vijnë në Tiranë, kanë nevojë për një orientim. Një nga arsyet që javën tjetër do jemi në çdo fakultet, por edhe në Qytetin Studenti, është që për studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë, të ketë një sens orientimi. Është një ankth i cili të merr javë, derisa të adoptohesh me jetën në Tiranë. A mund ta bëjmë këtë më të shkurtër? A mund ta bëjmë këtë proces më të lehtë, a mund ta bëjmë integrimin më të kollajtë? Kjo është arsyeja pse po bejme javen e orientimit për të gjithë studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë”

Gjithashtu, ai bëri të ditur se një nga idetë që u dha vjet për tu ndryshuar në Bashkinë e Tiranës ishte ideja për të ndihmuar me vullnetarë në mëngjes pranë shkollave.

Veliaj: “Siç keni vënë re në shumë prej kryqëzimeve të shkollave janë vullnetarë. Një ide e dhënë nga të rinjtë vitin e shkuar dhe po e implementojnë vet për të ofruar më shumë siguri sidomos në orët e para të mëngjesit ku dhe ka trafik edhe ku ta pranojmë nuk janë të gjithë shoferët mirëkuptues”

Deklaratat e Veliajt u bënë gjatë një aktiviteti në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, ku 400 të rinj i bashkohen nismës për të njohur punën e Bashkisë së Tiranës në një ditë

Nisma “Një ditë në Bashkinë e Tiranës” organizohet për vitin e dytë radhazi, ku të rinjtë ftohen për të kaluar një ditë në Bashkinë e Tiranës, për të parë se çfarë bën një drejtues i bashkisë në një ditë pune të zakonshme. Këtë herë ka pasur një numër të madh aplikimesh, rreth 400 të rinj kanë kërkuar të jenë pjesë e kësaj nisme. Për muajin tetor do të jenë 120 të rinj të cilët do të kalojnë ditën me një nga drejtorët e Bashkisë Tiranë sipas përzgjedhjes së tyre në aplikim.


Like it? Share with your friends!